Lidhje

Protesta në Daraa të Sirisë, dënohen vrasjet e policisë


Protesta në Daraa të Sirisë, dënohen vrasjet e policisë
Protesta në Daraa të Sirisë, dënohen vrasjet e policisë

Në Siri, mijëra njerëz hodhën sot parrulla kundër qeverisë ndërkohë që vërshonin në rrugët e një qyteti jugor për varrimin e 15 protestuesve të vrarë dje nga forcat e sigurimit. Vrasjet në qytetin Daraa, ndodhin ndërkohë që kudo në botën arabe vazhdojnë protestat kundër regjimeve autoritare.

Organizata Amnesty Internation e dënoi sulmin e djeshëm të policisë siriane kundër xhamisë al-Omari në qytetin Daraa. Operacioni, sipas dëshmitarëve filloi dje herët në mëngjes, me një sulm në një lagje ku strehohen protestusit që bëjnë thirrje për reforma dhe liri politike në vend.

Amnesty International tha se ka hartuar një listë prej 93 personash të arrestuar këtë muaj për pjesmarrje në demonstrata antiqeveritare ose për aktivitetin e tyre në internet.

Veprimtarët thanë se 15 persona u vranë nga policia, të paktën 6 prej tyre mbrëmjen e djeshme. Qeveria siriane thotë nga ana e saj se u vranë 4 veta kur një grup i armatosur sipas saj sulmoi një ekip mjeksor.

Nën frymëzimin e protestave pro-demokracisë që ka përfshirë rajonin, rebelimi në Daraa dhe në të paktën 4 fshatra të tjerë aty pranë është bërë për qeverinë siriane një ndër problemet më të mëdha që nga vitet 70.

Forcat e sigurimit kanë reaguar ndaj protestave duke përdorur makinat e ujit, gazin lotsjellës, plumbat prej gome dhe municion të vërtetë.

Organizatorët e protestave po përdorin mediat sociale me të cilat po bëjnë thirrje për një protestë të madhe nesër. Sipas dëshmitarëve, prania policore në qytet është e madhe.

Ndërkohë, në Aman të Jordanisë, dhjetra të rinj demonstruan sot pranë një sheshi qendror duke kërkuar shpërndarjen e parlamentit si dhe reforma kushtetuese.

Protestuesit akuzuan anëtarë të parlamentit se po praktojnë korrupsionin dhe nepotizmin. Por ndryshe nga protestat e tjera antiqeveritare në botën arabe, veprimtarët jordanezë nuk janë përpjekur të përmbysin mbretin, duke pranuar se ai është një forcë bashkuese mes fiseve të ndryshme dhe shumicës së qytetarëve që janë me origjinë palestineze.

XS
SM
MD
LG