Lidhje

Protesta në Libi, Bahrein dhe Jemen


Protesta në Libi, Bahrein dhe Jemen
Protesta në Libi, Bahrein dhe Jemen

Protestuesit libianë u përleshën me policinë sot në një demonstratë antiqeveritare të frymëzuar nga protestat në Egjipt dhe Tunizi. Aktivistët e opozitës u organizuan përmes faqeve të rrjeteve sociale në internet për të protestuar kundër udhëheqësit Moamar Gadafi. Protestat ndërkohë vazhdojnë edhe në Bahrein dhe Jemen.

Qindra protestues u përleshën me policinë dhe përkrahësit e qeverisë mbrëmë në qytetin libian të Bengazit. Një gazetë liabiane thotë se 14 vetë u plagosën. Libia, e cila ka qenë për 40 vjet me radhë nën kontrollin e rreptë të kolonel Muamar Gadafit, por ndjen ndikimin e revoltave popullore në Egjipt dhe Tunizi. Njoftimet nga qyteti i Bengazit bëjnë të ditur se situata tani është qetësuar. Shkas për protestat ishte bërë arrestimi i një avokati të të drejtave të njeriut dhe kritiku të qeverisë për të cilin protestuesit kërkonin që të lirohej.

Ndërkohë, mijëra bahreinë po zhvillojnë ditën e tretë të demonstratave në kryeqytetin Manama, ku shumë prej tyre morën pjesë në varrimin e protestuesit të dytë të vrarë nga policia një ditë më parë. Të paktën dy mijë aktivistë, shumica shiitë, mbushën Sheshin Pearl të Manamasë sot pasi vendosën dje një tendë ku kaluan natën e parë jashtë. Shumë prej protestuesve në Sheshin Pearl thonë se do të qëndrojnë deri sa të përmbushin objektivin e tyre për ndryshime politike në Bahrein.

Në Jemen, përkrahësit e qeverisë u përleshën me protestuesit anti-qeveritarë sot në kryeqytetin e vendit. Policia nuk arriti t’i ndante dy palët pasi protestuesit u mblodhën për një demonstratë në Universitetin Sanaa për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Ali Abdullah Saleh, aleat i Shteteve të Bashkuara kundër al-Kaidës, që ka sunduar këtë shtet të gadishullit arabik për më shumë se 30 vjet. Një përkrahës i qeverisë Abdulla Nosair ishte mes demonstruesve jashtë universitetit.

“Ne nuk besojmë tek ato që ndodhën në Egjipt dhe Algjeri. Në Jemen, regjimi nuk do të rrëzohet.”

Kërcënimi i trazirave në Jemen, ku vazhdojnë përpjekjet në luftën kundër al-Kaidës dhe rebelimeve në jug dhe veri, bëri që presidenti Saleh të premtonte se do ta linte postin në 2013-ën dhe të dialogojë me opozitën.

XS
SM
MD
LG