Lidhje

Protesta në Moskë kundër mandatit të tretë në detyrë të Vladimir Putinit


Mijëra rusë u mblodhën sot në qendër të Moskës për të protestuar kundër mandatit të tretë në detyrë të presidentit të ardhshëm Vladimir Putin, pas akuzave për manipulime në zgjedhje. Por kjo protestë nuk arriti në shkallën e demonstratave të fundit, shenjë kjo se opozita mund të jetë duke e humbur vrullin.

Udhëheqësi i opozitës së majtë, Sergei Udaltsov ishte mes disa të arrestuarve sot në Moskë, pasi, në përfundim të protestës, ai u përpoq të kryesonte një marshim, për të cilin nuk ishte dhënë leje. Rreth 40 njerëz u arrestuan në një manifestim të zhvilluar pa leje në Shën Petersburg.

Demonstruesit u shprehën kundër autoritetit të zotit Putin, i cili fitoi 64 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës së kaluar. Ai shërbeu si president në periudhën 2000-2008, por kufizimi në 2 mandate e parandaloi atë të kandidonte për një mandat të tretë. Gjatë 4 vjetëve të fundit ai ka qënë kryeministër i vendit.

Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, e zotit Putin fitoi 238 prej 450 vendeve të parlamentit në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit. Akuzat për manipulime në ato zgjedhje shkaktuan protesta, që u kryesuan nga opozita.

Dhjetra mijëra njerëz dolën nëpër rrugë në Moskë dhe qytete të tjera ruse, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve, në demonstratat më të mëdha në Rusi, që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

XS
SM
MD
LG