Lidhje

Protestat në Turqi

  • Dorian Jones

Protestat anti-qeveritare po vazhdojnë në Stamboll, qytetin më të madh të Turqisë. Trazirat e fundit shpërthyen javën e kaluar, pas vdekjes së një protestuesi në qytetin provincial të Hatajit. Protestat janë përhapur edhe në kryeqytetin Ankara. Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan ka premtuar një përgjigje të fortë.

Stambolli është përsëri dëshmitar i protestave anti-qeveritare. Trazirat shpërthyen javën e kaluar, pas vdekjes së Atakan Ahmet-it, një demonstrues në qytetin provincial të Hatajit pranë kufirit sirian. Rrethanat e vdekjes së 22-vjeçarit janë të paqarta, me policinë që pretendon se ai ra nga një ndërtesë, por demonstruesit pretendojnë se ai ishte goditur nga një bombël gazi.

Mijëra njerëz u mblodhën në pika të ndryshme të Stambollit për të protestuar.

Protesta këtu ishte për shkak të vrasjes së Ahmet Atakan-it nga policia, tha se ky protestues, i cili shtoi se Atakani ishte personi i gjashtë i vrarë për shkak të protestave. Ne kemi ardhur këtu për të protestuar, thotë ai, por po përballemi me dhunë policore.

Protestat që ishin kryesisht paqësore, u shpërndanë nga policia duke përdorur pompat e ujit dhe të gazin lotsjellës. Demonstruesit u kundërpërgjigjën duke ngritur barrikada dhe ndezur zjarre në rrugë për të eliminuar efektet e gazit. Forcat e sigurisë dhe të qeverisë kanë deklaruar se protestat e paligjshme do të përballen me një përgjigje të fortë. Por ndërhyrja e autoriteteve ka çuar në protesta të mëtejshme kundër taktikave të policisë.

Yasemin Congar, një analist për çështjet turke, thotë se reagimi i fortë i policisë mund të jetë kundërproduktiv.

"Këto protesta nuk do të ishin asnjëherë kaq të mëdha po të mos ishte për teknikat e fuqishme, me ujin me presion dhe gazin lotsjellës. Edhe tani që flas me ju, e ndjej gazin lotsjellës në rrugë nga protestat e mbrëmshme. Kjo i forcon më tej protestuesit."

Mijëra vetë u mblodhën në lagjen Kadikoj të Stambollit, qendër në anën aziatike të qytetit, për të protestuar kundër policisë. Kjo lagje është qendër e opozitës ndaj partisë AK në fuqi dhe ka qënë epiqendra e protestave të fundit.

Demonstrata e së dielës përfundoi në dhunë, me policinë që përdori pompat e ujit, gazin lotsjellës dhe plumba gome. Mediat lokale njoftuan se disa njerëz u plagosën.
Trazirat e fundit pasojnë protestat anti-qeveritare në të gjithë vendin në fillim të verës, kundër asaj që demonstruesit thonë se është stili gjithnjë e më autoritar i qeverisjes së kryeministrit Erdogan. Ndërsa këto nuk janë në shkallën e protestave të mëparshme, zoti Erdogan ka premtuar një përgjigje të fortë, duke pretenduar se qeveria e tij është viktimë e një komploti.

Këta njerëz që e dinë se nuk mund të fitojnë në kutitë e votimit, thotë zoti Erdogan, i nxjerrin shpresat e tyre në rrugë. Ne nuk do të lejojmë demokracinë të ndërpritet, thotë ai, duke shtuar: "Rinia jonë do ta mbrojë demokracinë dhe nuk do të lejojë një tjetër 12 shtator."

12 shtatori është data e grushtit të shtetit në Turqi në vitin 1980, kur ushtria ndërhyri pasi disa vitesh dhune politike. Por gazetari Congar thotë se kryeministri po përballet jo me komplot, por me një pjesë gjithnjë e më të politizuar të shoqërisë turke që ndjehet e pakënaqur me qeverinë.

"Njerëzit, veçanërisht në Stamboll, por edhe në mbarë vendin, kanë parë se kanë mundësi të dalin e të thërrasin dhe do të dëgjohen në mbarë botën. Mendoj se kjo është një ndjenjë e fuqizimit. Ata nuk do të heshtin kur dikush i sfidon."

Por me kryeministrin që i sheh protestuesit si një kërcënim ndaj demokracisë dhe jo si njerëz që ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike, vëzhguesit paralajmërojnë se cikli i tanishëm i protestave dhe shtypjet nga forcat e policisë ka të ngjarë të vazhdojë. Një skenar i tillë mund të vazhdojë të luhet në kontekstin e politikave elektorale, ndërsa Turqia do të mbajë zgjedhje lokale dhe presidenciale vitin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG