Lidhje

Protestat në Rusi


Presidenti rus Vladimir Putin u përgatit për protestën e parë të madhe anti-qeveritare duke goditur opozitën. Nga Moska, Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Brooke i hedh një vështrim zhvillimeve në ditën e protestës.

Deputeti i Dhomës së Ulët të parlamentit rus, Ilia Ponomarev ishte në krye të mijëra protestuesve që hidhnin parullën: "Ne bëjmë fuqinë!"

Në një ditë me mot të keq dhe ndërsa policia bastisi zyrat e opozitës, dhjetra mijëra njerëz dolën të martën duke mbushur unazën e bulevardit të kryeqytetit.

Presidenti Putin ishte përpjekur të pengonte një grumbullim të madh protestuesish duke rritur dramatikisht gjobat për protestat e paautorizuara dhe duke urdhëruar sulme të policisë mbi drejtuesit kryesorë të opozitës. Ditën e protestës shumë drejtues nuk patën mundësi të merrnin pjesë, pasi ishin duke u marrë në pyetje nga policia.

Por shtypja duket se solli efektin e kundërt, pasi protestuesit dukeshin më të gjallëruar.

Elizabeth, një studente 15 vjecare, marshoi me nënën e saj duke mbajtur një pankartë ku thuhej “2012 njësoj si 1937".

1937 ishte viti kur u ashpërsua shtypja staliniste. Elizabeth ishte mes më shumë se 400 protestuesve që u ndaluan ditën e protestës para ceremonisë së përurimit të presidentit Putin më 7 maj.

Aty pranë, Kirill, një student 22 vjecar thotë se doli në protestë pasi beson se elita qeverisëse e Rusisë po pasurohet nga burimet natyrore dhe ato të naftës në vend. Ai thotë se shpreson që gjenerata e tij do të shohë një Rusi ku të respektohet rendi.

Shumë protestues ishin të rinj. Disa analistë thonë se shtypja e re të kujton temat e letërsisë ruse në të cilat gjenerata e vjetër kërkon të zgjasë kontrollin e saj mbi gjeneratën e re.

Analistja Masha Lipman, në qendrën Carnegie të Moskës, thotë se muaji i parë i presidencës së zotit Putin ka treguar një prirje të re drejt shtypjes politike.

"Kërkimet, bastisjet, ligji i ri, arrestimi i protestuesve të thjeshtë, i cili është veçanërisht alarmant pasi po arrestohen njerëz të thjeshtë, banorë të kryeqytetit, të rirnj, apo biznesmenë. Problemi është se kur fillon në këtë rrugë, është shumë e vështirë të ndalosh."

Alexander Shvedov, një inxhinier 53 vjecar mbante një pankartë biblike dhe thotë se grupi i tij i opozitë kristiane ishte qëllimisht pa udhëheqës.

Ai thotë se bastisjet e së hënës mbi drejtuesit e opozitës justifikojnë vendimin e grupit të tij për të ekzistuar kryesisht përmes Internetit.

Stuhitë me shira të rrëmbyer hapën dhe mbyllën marshimin katër orësh dhe mitingun. Veshur me të zeza, një grup anarkistësh valvitën flamuj të kuq e të zinj.

Ata brohorisnin, “Është e ndaluar të ndalosh." Komunistët valvitën pankarta të kuqe dhe kënduan këngë të vjetra sovjetike. Nacionalistët rusë valvitën pankartat e tyre cariste me ngjyra të verdhë, të bardhë e të zi.

Ata brohorisnin “Moska është qytet rus”. E marta ishte festë kombëtare, dita e Rusisë. Presidenti Putin përfitoi nga rasti të bënte thirrje në televizionin shtetëror për bashkim kombëtar.

Ai tha se vetëm të bashkuar ata do të ecnin përpara. Por ndërsa ai fliste vazhdonte represioni politik. Policia kërkoi apartamentin e një nga drejtuesve të opozitës, Boris Nemtsov dhe zyrën e një tjetri, Alexei Navalny.

Udhëheqësi i tretë, Ilya Yashin, doli nga një stacion policie ku u morr në pyetje për t’u thënë gazetarëve se besonte se të tre udhëheqësit do të përballeshin me akuza që lidhen me protestën e 6 majit, ditën para inagurimit të presidentit Putin për një mandat të tretë.

Në mitingun e të martës, një helikopter i policisë fluturonte shpesh mbi kokat e protestuesve duke i filmuar. Këtu zhurma e helikopterit pothuajse mbyt thirrjet “Rusia pa Putinin”.

Të fshehur në anët e rrugëve qëndronin forca policore të specializuara për protesta, që në Rusi njihen si kosmonaut, për shkak të helmetave që mbajnë në kokë.

Protestuesit ishin miqësorë me policinë e qytetit. Duke ecur pranë një stacioni policie në Moskë, protestuesit filluan brohoritjet. Ata thonin, "Policia është me popullin. Mos u shërbeni budallenjve."

Në fund të ditës asnjë arrestim nuk u njoftua në protestat në Moskë, në Shën Petersburg apo në Novosibirsk, qyteti i tretë më i populluar i Rusisë.
XS
SM
MD
LG