Lidhje

Protesta anti qeveritare në Tajlandë


Protestat u kthyen në vdekjeprurëse në kryeqytetin tajlandez, ndërsa kryeministrja Yingluck Shinawatra ofroi të zhvillojë bisedime me demonstruesit që po përpiqen të detyrojnë largimin e saj nga posti. Të shtënat u dëgjuan pranë një stadium sportiv në Bangkok, ndërsa policia tha se një person u vra dhe të paktën 10 të tjerë janë plagosur.

Dhuna shpërtheu pasi protestuesit anti-qeveritarë sulmuan njerëzit që po mblidheshin në një miting pro qeverisë. Më shumë se 1 mijë protestues u mblodhën në Bangkok sot si pjesë e një jave demonstratash dramatike. Protestuesit u përpoqën të hunë në zyrat qeveritare dhe sulmuan një autobuz dhe disa makina.

Protestuesit kanë qëndruar në çadra jashtë një kompleksi zyrash qeveritare pasi qindra prej tyre hynë me forcë në një kompleks ushtarak të premten, para se të largoheshin paqësisht.

"Dua të ndihmoj për ta përmirësuar këtë vend. Çfardo të kërkojë udhëheqësi i protestës, unë do ta ndjek."

Drejtuesit e opozitës thanë se e djela do të jetë dita e fitores dhe u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre të rrethojnë zyrën e kryeministrit. Ata kanë premtuar të marrin kontrollin e çdo ministrie deri sa kryeministri Yingluck Shinawatra të jape dorëheqjen.

Por jo të gjithë janë dakort me taktikat e opozitës për ta detyruar kryeministrin të largohet.

"Nuk dua që protestuesit të marrin kontrollin e gjithçkaje. Dua që protestat të ndalen dhe qeveria të punojë e qetë."

Kryeministrja Yingluck i mbijetoi një votbesimi në parlament të enjten. Kryeministrja ka refuzuar të largohet dhe ka bërë thirrje për dialog për të zgjidhur situatën. Ajo ka premtuar se nuk do të përdorë dhunë për të ndalur protestat.

Demonstratat e fundit u nxitën disa javë më pare nga një projektligj amnistie që do ta kishte lejuar ish kryeministrin Thaksin Shinawatra – vëllain e zonjës Yingluck – të kthehet në vend dhe të mënjanojë një dënim prej dy vjetësh në burg për korrupsion. Senati e kundërshtoi projektligjin por protestat kanë vazhduar.
XS
SM
MD
LG