Lidhje

Protesta të serbëve ndaj shtimit të masave të sigurisë në veriun e Kosovës

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Protesta të serbëve ndaj shtimit të masave të sigurisë në veriun e Kosovës

Protesta të serbëve ndaj shtimit të masave të sigurisë në veriun e Kosovës

Një grup qytetarësh të komunitetit serb në veriun e Kosovës protestuan sot kundër vendosjes së pajisjeve telekomunikuese të EULEX-it në dy pika doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto pajisje janë vendosur në njërën nga dy postat kufitare, të cilat qenë djegur nga grupe të protestuesve serbë pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zyrtarë të EULEX-it thanë se ato kanë të bëjnë me punën e këtij misioni dhe vendosja e tyre është bërë në pajtim me të gjitha palët, përfshirë edhe udhëheqësit e bashkësive etnike lokale.

Vendosja e këtyre mjeteve pason fillimin e zbatimit të një planit të KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për shtimin e masave të sigurisë në veri, si pasojë e incidenteve të shpeshta që kanë ndodhur gjatë javëve të fundit në këtë pjesë të Kosovës. Autoritetet e sigurisë thanë se janë vendosur edhe pika kontrolli në rrugën kryesore që lidh Kosovën me Serbinë, në kërkim të armëve të paligjshme.

Këto veprime kanë nxitur reagime të ndryshme. Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se forca paqeruajtëse po "përpiqet t'i provokojë serbët që të reagojnë", duke e bërë përgjegjëse NATO-n për siç thuhet luftë propagandistike.

Prishtina ndërkaq i ka mirëpritur veprimet e forcave të sigurisë. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha sot se institucionet e Kosovës mbështesin të gjitha përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit në veri.

“Neve na vjen mirë, ndoshta pak me vonesë por vërtet ka filluar një përpjekje serioze që në çdo pjesë të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji, që qytetarët e Kosovës në çdo pjesë të saj ta marrin një frymëmarrje më të lehtë se sa e kanë deri më tani, konsiderojmë se ky angazhim i ri të vazhdoj dhe të jap rezultate konkrete”, tha zoti Krasniqi

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe i ndarjeve të thella etnike. Çështja e veriut përmendet si një nga temat e mundshme edhe të bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mbikëqyrura nga Bashkimi Evropian. Por fillimi i këtyre bisedimeve, sipas zyrtarëve në Prishtinë, nuk mund të pritet para zgjedhjeve të parakohshme të paralajmëruara për fillimin e vitit që po vjen.

XS
SM
MD
LG