Lidhje

Reagime për protestat në Turqi


Komisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, i kritikoi me forcë masat shtypëse të Turqisë ndaj protestave anti-qeveritare, duke ju bashkuar kështu Bashkimit Evropian në dënimin e tyre. Por kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan u kundërpërgjigj, duke i dalë në mbrojtje forcave të sigurisë dhe duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e kritikëve evropianë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Pas disa javë protestash anti-qeveritare në qytete anembanë Turqisë, pati një moment qetësie, ndërsa demonstruesit organizuan protesta të qeta. Në sheshin Taksim të Stambollit, protestat filluan si një fushatë ambjentaliste, por u shndërruan në demonstrata anti-qeveritare.

Policia ndaloi dhjetra demonstrues në orët a para të së martës. Përmes një deklarate, Komisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, shprehu shqetësimin e saj për atë që ajo e cilësoi një trajtim të rëndë nga ana e forcave policore ndaj protestave tre-javore dhe bëri thirrje për zhvillimin e një hetimi transparent.

Presidenti Shoqatës së Avokatëve në Turqi, Metin Feyzioglu i tha Zërit të Amerikës përmes një interviste telefonike nga Ankaraja, se ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara u mirëprit.

“Policia qëlloi me armë gazi lotsjellës ndaj protestuesve paqësorë dhe qëllimisht në objektiv ishin njerëzit. Pra armët me gaz lotsjellës u përdorën njëlloj si armët e vërteta.”

Kryeministri Erdogan reagoi me zemërim ndaj kritikëve të tij. Ai tha në një takim të partisë së tij AKP, se ishte e drejta e pakontestueshme e policisë të përdorte gazin lotsjellës ndaj protestuesve.

Zoti Erdogan tha se nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt, që përdor dhunën dhe e përdor atë si një instrument ndaj njerëzve dhe kombit.

Reagimi i qeverisë turke po shkakton alarm përtej Turqisë, thotë Fadi Hakura i institutit të politikave Chatham House.

“Sidomos përgjigja jo-proporcionale e forcave të rendit ndaj këtyre protestave ka filluar ta zbehë reputacionin pozitiv që ka patur deri tani kryeministri Recep Tayyip Erdogan."

Në Gjermani jeton komuniteti më i madh turk në botë. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle reagoi ndaj protestave të së hënës. Ai thotë se do të kishim shpresuar që qeveria turke të kishte zgjedhur rrugën e dialogut. Prandaj, shton ai, ne i kritikojmë vendimet e qeverisë turke.

Parlamenti European miratoi një rezolutë, ku shprehej shqetësim për përgjigjen e policisë dhe e ka anuluar planin për një vizitë të ligjvënësve këtë javë në Turqi. Turqia prej vitesh ka patur ambicie të pranohet në Bashkimin Evropian, por masat shtypëse ndaj protestuesve mund të shënojnë një hap prapa politikisht dhe ekonomikisht, thotë analisti Hakura.

Ndërkohë zoti Erdogan u zotua të shtojë kompetencat e policisë për t’iu përgjigjur trazirave dhe qeveria është duke punuar mbi një ligj për kufizimin e përdorimit të mediave sociale, të cilat ajo i fajëson për nxitjen e demonstratave.
XS
SM
MD
LG