Lidhje

Protestat kundër Uoll Stritit dhe e ardhmja e tyre


Protestat kundër Uoll Stritit dhe e ardhmja e tyre
Protestat kundër Uoll Stritit dhe e ardhmja e tyre

Protestat kundër Uoll Stritit, të cilat filluan më shumë se një muaj më parë, vazhdojnë në të gjithë vendin. Disa aktivistë të përfshirë me lëvizjen Zaptimi i Uoll Stritit kanë filluar të shohin drejt së ardhmes. Protestat kanë pasur sukses në ngritjen e shqetësimeve në nivelin kombëtare lidhur me ndikimin e korporatave në politikë dhe ekonomi.

Lëvizja Zaptimi ka filluar të diskutojë hapat e ardhshëm të saj. Protestues të Lëvizjes Zaptimi u mblodhën në Uashington DC, pranë ndërtesës ku po takohej një komision i Kongresit, që është i ngarkuar me shkurtimin e defiçitit federal.

Policia e kapitolit lëshoi tre paralajmërime para se të fillonte arrestimin e protestuesve.

Demonstruesit e dinë se deri në çfarë pike mund të shkojnë pa u arrestuar.

Margaret Flowers është pediatre nga qyteti Baltimor në Merilend.

“Një nga qëllimet e këtij veprimi është të shkaktohet një ndërprerje ose pengesë për të tërhequr vëmendjen e qytetit. Ne kemi nevojë për njerëz të cilët e kuptojnë se pse ne kemi dal në rrugë për të protestuar”.

Por shumë njerëz kanë filluar të pyesin nëse këto protesta e kanë arritur qëllimin e tyre. Kevin Zeese është aktivist dhe avokat nga Merilendi. Ai thotë se mesazhi i tyre për t’i dhënë fund lakmisë së korporatave dhe padrejtësisë ka gjetur mbështetje te publiku.

“Debati nuk është i njejtë si ai që ishte kur ne filluam. Pra, unë mendoj se kemi pasur një ndikim të madh. Pyetja është se cilët janë hapat e ardhshëm të Lëvizjes Zaptimi?”

Zoti Zeese thotë se protestuesit këtu në Freedom Plaza e kanë shqyrtuar këtë pyetje. Alternativat janë të qëndrojmë këtu gjatë dimrit ose të krijojmë një lëvizje më të organizuar kombëtare.

Margaret Flowers thotë se Lëvizjet Zaptimi në mbarë vendin janë gjithashtu duke komunikuar përmes internetit. Ajo dëshiron që të ketë një lëvizje të organizuar në nivel kombëtar.

“Ne jemi duke u përpjekur për të vënë më shumë udhëzime. Dhe më shumë nga mjetet që kemi përdorur për të mësuar përdorimin e metodave të padhunshme për të ndryshuar strukturat e pushtetit.”

Bisedat janë në fazën paraprake dhe ata duan të shfrytëzojnë këtë rritje të protestave për të arritur një organizim në shkallë kombëtare. Protestuesit thonë se përfaqësojnë 99 përqind të amerikanëve që vuajnë nga gjendja aktuale e ekonomisë, ndërkohë që 1 përqind e amerikanëve jetojnë në begati.

“Dhënia fund e sundimit të korporatave dhe zhvendosja e pushtetit në duart e njerëzve është detyrë ndërlikuar. Dhe Zaptimi është një taktikë që ka për synim arritjen më afër këtij qëllimi dhe ndërtimin e një lëvizje të pavarur për të cilën ne kemi nevojë për të arritur synimet tona.”

Tani për tani, protestuesit e Lëvizjes Zaptimi në Uashington do të vazhdojnë me protestat e tyre të përditshme. Sot, ata tërhiqen para se policia të bëjë ndonjë arrestim. Ata largohen nga ndërtesa dhe vazhdojnë të sjellin mesazhin e tyre për t’i dhënë fund lakmisë së korporatave.

XS
SM
MD
LG