Lidhje

Protestat në botën arabe mund të ndikojnë në politikën e SHBA për Lindjen e Mesme

  • Mohamad Elshinaui

Protestat në botën arabe mund të ndikojnë në politikën e SHBA për Lindjen e Mesme

Protestat në botën arabe mund të ndikojnë në politikën e SHBA për Lindjen e Mesme

Për dekada me rradhë, Uashingtoni ka besuar në miqësinë e qeverive arabe për të menaxhuar konfliktin izraelito- palestinez pa marrë opinionin publik arab në konsideratë. Por tani, me protestat popullore që kanë përfshirë rajonin, politikanët amerikanë po shohin mundësi të reja, me anë të të cilave Uashingtoni mund të vazhdojë të ketë influencën e tij në rajon. Ekspertët rajonalë dhe politikbërësit amerikanë thonë se një rrugë që Uashingtoni duhet të ndjekë është duke ripërtërirë përpjekjet e tij për të promovuar paqen mes Izraelit dhe palestinezëve.

Ndërsa vala e protestave ka përfshirë thuajse krejtësisht botën arabe, një aspekt i rajonit nuk ka ndryshuar aspak, bllokimi i bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Ndërsa palestinezët në Rripin e Gazës nisin raketa ndaj Izraelit dhe ky i fundit ka zgjeruar ndërtimin e vendbanimeve në tokën e pushtuar, sekretarja amerikane e shtetit Klinton thotë se situata po bëhet e rrezikshme.

“Status quoja mes palestinezëve dhe Izraelitëve nuk është e qëndrueshme më shumë se sistemet politike që janë shpërbërë muajt e fundit, as e ardhmja demokratike e Izraelit si shtet hebre, dhe as aspiratat legjitime të palestinezëve nuk mund të jenë të sigurta pa një zgjidhje të përbashkët me dy shtete”.

Ish Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Zbigniev Berzhinski thotë se është koha për administratën Obama që të marrë një rol vendimtar në promovimin e paqes mes Izraelit e palestineëzve.

“Situata në rajon po ndryshon. E ardhmja e Izraelit si pjesë e Lindjes së Mesme, po zbehet dhe mendoj se kjo situatë po zgjon Shtete e Bashkuara që të ecin përpara me një korrnizë të përgjithshme për paqen mes dy vendeve”.

Berzhinski hedh idenë se Uashingtoni duhet të veprojë shpejt, përpara se autoriteti Palestinez t’i kërkojë asamblesë së Përgjithshme të OKB-s në shtator, njohjen e një shteti të pavarur palestinez, bazuar në kufijtë përpara luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967.

Një mundësi e tillë shqetëson dhe senatorin amerikan Xhon Keri, kryetar i komisonit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat. Ai thotë se Uashingtoni duhet t’i paraprijë një apeli të tillë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i cili do të komplikojë sipas tij përpjekjet e deritanishme të paqes.

“Nuk jam i sigurt nëse kjo do të çojë procesin përpara. Madje mendoj se një apel i tillë mund të sjellë ndryshime politike në një drejtim të gabuar. Shpresoj se një iniciativë diplomatike mund të parandalojë pasoja të padëshirueshme”.

Mbas takimit këtë muaj në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Shimon Perez, presidenti Obama foli për urgjencën e arritjes së një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme.

“Me erën e ndryshimeve që po fryn kudo në botën arabe është më urgjente se kurrë që ne të përpiqemi të kapim mundësinë për të krijuar një zgjidhje paqësore mes palestinezëve dhe izraelitëve”.

Shiblehi Telhami është profesor i Paqes e Zhvillimit në Universitetin e Merilandit. Ai thotë se bisedimet e sukseshme të ndihmuara nga Shtetet e Bashkuara, mes Izraelit dhe palestinezëve mund të ndihmojnë Uashingtonin që të vendosë marëdhënie të mira me qeveritë e reja të krijuara në rajon.

“Është e vështirë për Shtetet e Bashkuara që vendosin marrëdhënie të mira me demokracitë e krijuara në botën arabe , për aq kohë sa nuk ka një lëvizje për paqen mes Izraelit dhe palestinezëve”.

Politikat e Shteteve të Bashkuara kërkojnë një zgjidhje me dy shtete, me një Izrael të pavarur dhe një komb palestinez , që të jetojnë përkrah njëri-tjetrit në harmoni. Ekspertët rajonalë thonë se kushtet janë pjekur për një shtysë të re në këtë drejtim.

XS
SM
MD
LG