Lidhje

Protestat në Lindjen e Mesme dhe politika amerikane


Protestat në Lindjen e Mesme dhe politika amerikane
Protestat në Lindjen e Mesme dhe politika amerikane

Në Lindjen e Mesme po shfaqen kudo protesta të reja antiqeveritare pas demonstratave masive dhe ndryshimit të udhëheqjes që ndodhën në Egjipt. Për politikën amerikane në rajon, këto zhvillime po sjellin si shanse të reja ashtu edhe pengesa.

Ishte kërkesa e një vendi dhe një populli të tërë për ndryshim. Qeveria amerikane fillimisht reagoi me kujdes ndaj protestave në Egjipt deri sa më në fund, Presidenti Obama e bëri të qartë se mbështeste një qeveri të re.

"Populli i Egjiptit e tha fjalën e tij. Zëri i tyre u dëgjua"' deklaroi ai.

Por edhe të tjerëve kudo në Lindjen e Mesme po u dëgjohet zëri. Tani administratës Obama i mbetet të vendosë se si do të përgjigjet dhe kë do të mbështesë.

Në Bahrein, policia u përpoq të shpërndajë demonstratat të cilat filluan paqësisht. Policia vrau dy protestues në dy ditët e para.

Në Jemen, beteja zhvillohet mes studentëve protestues nga njëra anë dhe përkrahësve të qeverisë e policisë nga ana tjetër. Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Ali Abdullah Saleh, i cili ka rënë dakord të mos kërkojë të rizgjidhet.

Videot amatore në Libi tregojnë protestuesit që bëjnë thirrje për dorëheqjen e Moamar Gadafit, udhëheqës i vendit që prej 42 vjetësh.

Në Teheran, policia përpiqet të shpërndajë protestuesit, kryesisht shiitë. Këto janë protestat më të mëdha në Iran që nga zgjedhja e debatueshme e Presidentit Mahmud Ahmadinexhad në vitin 2009.

Përdorimi i dhunës nga policia iraniane u kritikua nga Presidenti Obama.

"Më duket ironike kur regjimi iranian pretendon të festojë atë që ndodhi në Egjipt ndërsa në fakt ata kanë vepruar në kontrast të drejtpërdrejtë me ngjarjet e Egjiptit, duke vrarë dhe rrahur njerëzit që përpiqen të shprehen paqësisht."

Xhejms Filips, i Fondacionit Heritage, thotë se Presidenti duhet të shkojë më tej në kritikat e tij:

"Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë trysninë maksimale ndaj regjimit për të futur pyka mes regjimit dhe popullit të tij. Kjo mund të bëhet me ashpërsimin e sanksioneve në Këshillin e Sigurimit."

Por politika amerikane në Lindjen e Mesme u bën kërkesa të ndryshme vendeve të ndryshme. Ja si u shpreh Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton në një intervistë me Televizionin al-Hurra që financohet nga qeveria amerikane.

"Për miqtë tanë ne kemi një mesazh mjaft konstant: Kërkohet ndryshim."

Xhejms Zogbi i Institutit Arabo-Amerikan thotë se kjo e bën politikën amerikane të mos duket e njëtrajtëshme.

"Qeveritë që po përballen me probleme janë ato qeveri që na kanë mbështetur ne dhe këtë mbështetje ne e kemi kërkuar me këmbëngulje ndërkohë që kemi ndjekur politika të cilat janë shumë jopopullore në këto vende. Prandaj të ndryshojmë pozicion tani, kjo nuk duket se na ka hije."

Zogbi thotë se kjo çon në zemërimin e njerëzve ndaj politikës amerikane për mbështetjen e udhëheqësve autoritarë si dhe me zemërimin e këtyre udhëheqësve ndaj Shteteve të Bashkuara që mbështesin protestuesit kur kahu i situatës ndryshon.

Zogbi thotë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara humbasin besueshmëri në botën arabe për faktin që Izraeli nuk kritikohet dhe procesi i paqes nuk çohet përpara.

"Ne duhet të votojmë në favor dhe jo kundër rezolutës së OKB-së për vendbanimet hebraike dhe ta mbështesim rezolutën me ndikimin tonë."

Politika amerikane dhe mbështetja amerikane për Izraelin janë gjithnjë pjesë e ekuacionit në Lindjen e Mesme. Administrata Obama thotë se kur ndryshimet të të fillojnë të konsolidohen në Lindjen e Mesme, protestuesit do t’i përdorin energjitë e tyre për shanse të reja në vend që të shfaqin ndjenjat antiamerikane dhe antiizraelite. Tani për tani, mundësia për shanse të reja është ajo që po nxit protestat në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG