Lidhje

Protestat pro-demokracisë e vënë Putinin dhe Rusinë në udhëkryq


Protestat pro-demokracisë e vënë Putinin dhe Rusinë në udhëkryq
Protestat pro-demokracisë e vënë Putinin dhe Rusinë në udhëkryq

A po zhvendoset Pranvera Arabe drejt veriut për t’u bërë Dimri Rus? Ndërkohë që sot në mbarë Rusinë zhvillohen demonstrata, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Xhejms Bruks, na informon nga Moska se vendi më i madh i botës mund të ndodhet në udhëkryq.

Nga qelia e tij e burgut pranë zonës së Arktikut, Mikhail Khodorkovski, manjati i burgosur rus i naftës, përcaktoi thelbin e gjendjes politike të Rusisë kur parashikoi një javë më parë se çështja kryesore nuk do të jetë se kush do të fitojë zgjedhjet në Rusi, por sa do ta minojnë manipulimet legjitimitetin e qeverisë së Vladimir Putinit? Sot, në më pak ne një javë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Rusi, ne mund të shikojmë zgjidhjen.

Një demostratë proteste në Moskë e lejuar për 300 vetë ka tërhequr rreth 50 mijë njerëz që kanë thënë se do të marrin pjesë. Moska gjendet përballë demonstratës më të madhe prodemokraisë gjatë dekadës së Putinit.

Jashtë kryeqytetit të Rusisë, protesta do të zhvillohen në 88 qytete ruse dhe 43 të huaja. Nga Kaliningradi në brigjet e Detit Balltik deri në Vladivostok në brigjet e Oqeanit Paqësor rusët duket se po flakin apatinë që kundërshtarët e zotiti Putin thonë se e ka lejuar atë të qeverisë Rusinë pa u sfiduar që nga viti 2000.

Ku do të përfundojë e gjithë kjo? Boris Makarenko, kryetar i Qendrës për Teknologjitë Politike, një grup studimor në Moskë, nuk beson se demonstratat nëpër rrugët e Rusisë do ta rrëzojnë Carin nga froni.

"Nuk mendoj se ato do të çojnë në një Revolucion Portokalli si ai në Ukrainë, apo revolucione të ngjashme në Gjeorgji ose Jugosllavi”.

Por Rusia ka ndryshuar. Mistika e Putinit të pamposhtur ka filluar të shfaqë disa plasaritje. Goditja e parë erdhi kur një grup pjesëmarrësish në një ndeshje xhudoje e fërshëllyen Putin, i cili është ekspert i këtij sporti. Kremlini tha më pas se turma po fërshëllente një nga pjesëmrrësit që po humbiste e që ishte amerikan. Më vonë Kremlini tha se një grup njerëzish që pinin birrë po fërshëllenin sepse roja presidenciale e sigurimit nuk i lejoi të përdornin banjat.

Vëzhguesit e Kremlinit kanë vënë re, ndërkaq, se zoti Putin nuk është parë në publik që prej atëhere, duke mos marrë pjesë edhe në dy manifestime anti-drogë, ku ishte ftuar të mbante fjalimin kryesor.

Të martën në mbrëmje, ndërsa policia po arrestonte mbi 500 protestues kundër Putinit në qendër të Moskës, zoti Putin ndodhej vetëm disa blloqe më tutje, duke studjuar pikturat në një ekspozitë të Karavaxhios, piktorit italian të shekullit të 17-të.

Brenda tri muajsh, zoti Putin do të jetë përballë votuesve rusë si kandidat për president dhe atij i duhet të bëjë zgjedhjet për strategjinë e tij. Ai mund të godasë protestuesit, duke ndjekur shembullin e Bjellorusisë fqinje. Ai mund ta hapë politikën ruse, duke ofruar reforma. Por ai mund edhe të shpërndajë paratë e qeverisë, duke shfrytëzuar rezervat ruse të valutës së huaj që kap shumë e tri trilionë dollarëve.

Vladimir Tikhomirov, analist në qendrën e investimeve Otkritie, beson se zoti Putin do të bëjë pak nga të gjitha për të mbajtur pushtetin.

"Unë nuk do ta përjashtoja mundësinë e rrugës tradicionale të Rusisë për të dalë nga situata, përdorimin e kombinuar të reformave dhe shtetin policor”.

Kremlinin ka kontrollin e plotë mbi policinë dhe stacionet televizive. Pas 10 ditësh, rusët do të jenë të preokupuar me sezonin e Krishtlindjeve dhe Vitin e Ri që shkon deri në mes të janarit.

Një muaj më parë, Anatol Lieven, profesor në fakultetin e Studimeve të Luftës në Koligjin e Mbretit në Londër, mori pjesë në darkën e një grupi me Kryeministrin Putin. Lieven e vlerëson Putinin si mjeshtër të politikës dhe parashikon se ai do t’i rifitojë pozitat.

"Natyrisht, ky ëshët vetëm fillimi. Nuk mendoj se kjo do ta pengonte Putinin të rizgjidhej dhe aq më pak mendoj se gjendja do të shkojë drejt një revolucioni që do ta përmbyste regjimin”.

Të martën, zoti Putin foli para udhëheqësve të partisë në pushtet, të cilët janë të irrituar që opozita e quan partinë e tyre “parti të hajdutëve dhe mashtruesve”. Zoti Putin pruri në vemendje se edhe në periudhën sovjetike, njerëzit i quanin autoritet “hajdutë dhe rushfet marrës”.

Ndërkohë që mandati presidencial gjashtë vjeçar hidhet në votim në muajin mars, alalisti Makarenko thotë se zoti Putin duhet t’i ofrojë Rusisë një vizion për të ardhmen.

“Çështja është se populli rus ka humbur optimizmin gjatë krizës, jo kursimet dhe as statusin social. Populli kërkon përsëri optimizmin e tij, por partia në pushtet nuk merakoset ta ndihmojë në këtë drejtim. Zoti Putin ka tani rastin, ai duhet të shpallë axhendën e tij”.

Por të enjten, zoti Putin iu kthye një faqeje të vjetër të politikës sovjetike, duke akuzuar sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, se dërgoi një “sinjal” për të nxitur protestat nëpër rrugët e Rusisë.

Këtë javë, policia në Moskë dhe Shën Pjetërburg arrestoi 1600 protestues. Duke iu referuar protestave që pothuajse nuk janë parë në ekranet e televizionit në Rusi, zoti Putin u përmendi rusëve se ata duan stabilitet.

Duke iu referuar imazheve të kaosit, ai u kujtoi rusëve revolucionet nëpër rrugë që u zhvilluan në dy ish republika sovjetike, Ukrainë dhe Kirgistan. Por profesor Lieven thotë se rusët nuk duan të sakrifikojnë të gjitha liritë demokratike për hir të stabilitetit.

"Madje edhe konservatorët rusë, ose rusët pro Putinit, nuk duan ta shikojnë veten si një version të Uzbekistanit. Shfaqja e një lloj shkalle demokracie ka më tepër rëndësi psikologjike për ta”.

Demostratat e sotme mund të shërbejnë si formë drejtimi, duke treguar se në çfarë rruge do të shkojë Rusia në Vitin e Ri.

XS
SM
MD
LG