Lidhje

Protestat në Ukrainë dhe idealet e BE-së


Në shikim të parë, Bashkimi Evropian duket se e ka humbur betejën me Rusinë lidhur me të ardhmen e Ukrainës, pasi presidenti ukrainas Viktor Janukoviç u shpreh kundër nënshkrimit të një marrëveshjeje me BE-në muajin e kaluar, duke arritur ujdi me Moskën për një kredi miliarda dollarëshe. Por shumë vëzhgues thonë se demonstratat e vazhdueshme në qytetet e Ukrainës nga protestuesit pro – Evropianë e kanë përmirësuar imazhin e Bashkimit Evropian, diçka për të cilën ai ka nevojë.

Prej një muaji, protestuesit në Ukrainë u kanë bërë ballë të ftohtit të madh dhe goditjes policore për të krijuar një të ardhme evropiane për vendin e tyre.
Ngjyrat e verdhë e blu të flamurit të BE-së janë ngjyrat dominuese të protestave.
Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso, tha javën e kaluar se demonstruesit janë duke hyrë në historinë evropiane.

"Ata të rinj në rrugët e Ukrainës që po përballojnë të ftohtit e madh po shkruajnë një kapitull të ri për Europën. Dhe unë mendoj se Bashkimi Evropian ka të drejtën dhe detyrën për të qendruar pranë popullit të Ukrainës në këtë moment shumë të vështirë, sepse ata po i japin Evropës një nga kontributet më të mëdha që mund të jepen."

Në një kohë kur besimi tek Evropa ka rënë, demonstratat janë një votëbesimi për këtë bllok, thotë Ian Bond i organizatësQendra për Reforma Evropiane.

"Është e qartë se kjo është e dobishme për besuesshmërinë e Evropës që ajo të mund të tregojë se ka kaq shumë njerëz në Ukrainë të cilët janë për një marrëdhënie të ngushtë me BE-në."

Eurozona ende duke luftuar për të dalë nga kriza e borxhit. Papunësia në Spanjë dhe Greqi mbetet më shumë se 25% . Partitë populiste anti – BE janë në rritje në Britani, Francë dhe Hollandë.

Megjithë grindjet politike brenda Bashkimit Evropian dhe problemet e euros, blloku vazhdon të ketë një tërheqje magnetike për shumë njerëz në kufijtë e tij lindorë.

"Nëqoftëse ndodheni në Ukrainë, një vend i cili ka humbur një pjesë të konsiderueshme të GDP-së që kur fitoi pavarësinë në vitin 1991, atëherë mund të kuptosh se afrimi me BE-në është një alternativë shumë tërheqëse", thotë Ian Bond.

Mikhail Pashkov i Qendrës Razumkov në Kiev, thotë se si BE-ja edhe Ukraina duhet ta kuptojnë rëndësinë e këtij momenti.

"Fakti që njerëzit po demonstrojnë për integrimin evropian është një sinjal i rëndësishëm si për qeverinë e Ukrainës edhe për Bashkimin Evropian. Por vendimi për të mos nënshkruar marrëveshjen me BE-në tregon se politika e jashtme e Ukrainës është jo transparente dhe e mbyllur, si për popullin e vet edhe për botën e jashtme."

Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç thotë se veproi në interesin ekonomik të vendit kur refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen me BE-në, duke pranuar ofertën për kredi dhe gaz me çmim të lirë nga aleatja e vjetër, Rusia.

Sipas analistëve edhe pse duket sikur Evropa e ka humbur garën me Rusinë për Ukrainën, protestat e kanë rigjallëruar idealin mbi të cilin u themelua Bashkimi Evropian si forcë për përparim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG