Lidhje

Protesta të reja në Shkup


Një grup prej disa dhjetra shqiptarësh të rinj protestuan përsëri sot, duke e bllokuar rrugën kryesore para xhamisë së Jahja Pashës në Shkup dhe duke marshuar drejt komunës së Çairit, rreth një kilometër më në veri.

Atje, ata u përleshën me policinë dhe hodhën gurë në ndërtesën e komunës. Policia i shpërndau protestuesit me anë të bombave paralizuese. Protestat e dhunshme dje kanë nxitur reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian, misionet e Natos dhe të OSBE-së në Shkup, përmes një komunikate të përbashkët theksojnë të drejtën për të protestuar në mënyrë të qetë dhe dënojnë sjelljet e dhunshme. Diplomatët perëndimorë bëjnë thirrje për dialog midis qytetarëve dhe politikanëve që do të rezultonte në qetësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, objekt i ofendimeve dhe kritikave nga një numër i konsiderueshëm protestuesish, bëri thirrje për shmangien e dhunës.

Protestat shpërthyen pesë ditë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup, që shpalli fajtorë dhe dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve dy vjet më parë.

XS
SM
MD
LG