Lidhje

BE e shqetësur nga protestat e dhunshme në Shkup


Bashkimi Evropian ka shprehur sot shqetësime pas protestave të dhunshme para ndërtesës së qeverisë së Maqedonisë. Zëdhënësja Maja Kocijançiç ka theksuar nga Brukseli se protestat duhet të jenë të qeta dhe drejtuesit politik të gjejnë sa më parë një zgjidhje për krizën politike në vend. Zëdhënësja citohet të ketë përkujtuar parimet e Komisionit Evropian për lirinë e protestimit në mënyrë të qetë dhe lirinë e shprehjes.

Nga ana tjetër, protestat e mbrëmshme shkaktuan një gjendje të tendosur; ndërkohë që nga përplasjet në mes tyre morën lëndime dhjetra demonstrues dhe policë.

Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, e cila veprimet e protestuesve i quajti si sulme vandale kundër policisë, tha se tridhjetë e tetë policë kishin marrë lëndime, gjashtë prej tyre më rëndë, ndërsa 38 demonstrues ishin arrestuar.

Sjellja e policisë kishte qenë e matur dhe në bazë të standardeve ligjore, sipas ministres së Rendit.

Por, pjesëmarrës në protestat e mbrëmshme që zgjatën deri vonë pas mesnate thonë se policia kishte ushtruar dhunë kundër tyre, madje edhe pasi kishte shpërndarë masën, kishte vazhduar t’i kërkojë demonstruesit nëpër rrugë, sheshe dhe nëpër apartamente banimi në afërsi të vendit ku u zhvillua protesta.
Gjatë protestave u panë dhe disa flamuj shqiptarë, krahas atyre shtetërorë, që është mbase, hera e parë në ngjarje të këtilla, duke pasur parasysh mungesën e tolerancës dhe gjendjen e brishtë ndëretnike në Maqedoni.

Protesta pasoi publikimin nga opozita të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë, të cilët flisnin në lidhje me vrasjen e një të riu maqedonas nga një pjesëtar i policisë speciale në vitin 2011, një akt ky që u mbajt disi i fshehur për 48 orë, si nga autoritetet, poashtu edhe nga një pjesë e mjeteve të informimit të afërta me pushtetin.

Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar lëvizje brenda koalicionit të partive maqedonase në pushtet. Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, një parti e vogël që bën pjesë në qeveri, ka njoftuar prishjen e koalicionit me VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Analistët nuk presin qetësimin e gjendjes brenda një të ardhmeje të afërt, sidomos tash që Lidhja Social Demokrate e opozitës ka paralajmëruar protesta të mëdha që do të mbahen më shtatëmbëdhjetë maj

XS
SM
MD
LG