Lidhje

Vazhdojnë protestat në Ukrainë


Mijëra protestues të ukrainas bllokuan hyrjet në ndërtesat kryesore qeveritare të vendit dje në një përpjekje për të rrëzuar qeverinë e presidentit Viktor Yanukovych për shkak të refuzimit të tij për të nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian.

Dje, qindra njerëz bllokuan hyrjen e ndërtesave të Kabinetit dhe bankës qendrore në Kiev, një ditë pasi më shumë se 100 mijë protestues marshuan në kryeqytetin e vendit.

Kryeministrja ukrainase Mykola Azarov tha dje se protestat ishin "jashtë kontrollit" dhe kishin "të gjitha shenjat e një grusht-shteti."

Kreu i opozitës ukrainase Arseniy Yatsenyuk, ndërkohë, u tha gazetarëve se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund protestave.

Po dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se dhuna nga autoritetet ukrainase kundër protestuesve në Kiev është "e papranueshme." Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk i konsiderojnë protestat paqësore një përpjekje grusht shteti.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki - mun u bëri thirrje të gjitha palëve në Ukrainë të tregojnë përmbajtje, të shmangin dhunën dhe të fillojnë një dialog të mirëfilltë.

Edhe Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso bëri thirrje për përmbajtje nga të dyja palët.

Presidenti rus Vladimir Putin, përkrahësi kryesor i zotit Yanukovych, tha se protestat në Ukrainë duken më shumë si "përpjekje e dhunshme për shkatërrim sesa një revolucion."

Protestat u intensifikuan që nga 21 nëntori, kur presidenti ukrainas hoqi dorë nga nënshkrimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian, duke thënë se vendi ka nevojë për të vazhduar lidhjet e ngushta me Rusinë.
XS
SM
MD
LG