Lidhje

Jemen: 4 protestues vriten para ambasadës amerikane


Protestues marshuan gjithashtu në Kairo, Teheran, Bagdad dhe në Daka, duke thirrur "jo Izraelit" dhe duke djegur flamurin amerikan

Katër protestues u vranë kur një grumbull njerëzish vërshuan dje përpara ambasadës amerikane në Jemen, në valën e demonstratave të dhunshme kundër një filmi anti fesë islame, i prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Jemenit, Abed Rabbo Mansour Hadi dënoi menjëherë dhunën dhe premtoi mbrojtjen e qytetarëve amerikanë në Jemen. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Barack Obama i telefonoi presidentit Hadi për ta falenderuar për përgjigjen e tij të shpejtë. Shtëpia e Bardhë tha se zoti Obama hedh poshtë çdo përpjekje për denigrimin e fesë islame, por shtoi se nuk ka justifikim për aktet e dhunës.

Protestues marshuan gjithashtu në Kairo, Teheran, Bagdad dhe në Daka, duke thirrur "jo Izraelit" dhe duke djegur flamurin amerikan.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dënoi filmin e prodhuar nga një amator në Shtetet e Bashkuara, në të cilin vihet në lojë profeti Muhammad. Sekretarja Clinton e cilësoi filmin si "të pështirë" dhe "të dënueshëm". Edhe Presidenti egjiptian, Mohamed Morsi dënoi dje si filmin edhe dhunën. Ai premtoi të mbrojë të huajt në Egjipt.

Autoritetet amerikane dhe ato libiane po hetojnë incidentin e së martës në konsullatën amerikane në Bengazi, ku u vra ambasadori amerikan, Christopher Stevens dhe tre diplomatë të tjerë. Njëri prej të vrarëve u identifikua dje si një ish anëtar i forcave speciale të marinës amerikane SEAL, i cili ishte me mision sigurie në Libi.

Agjenci amerikane të zbulimit po shqyrtojnë pjesëmarrjen e mundshme të ekstremistëve pro al Kaidës. Por ata thonë se nuk kanë prova të forta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG