Lidhje

Protestuesit socialistë në ditën e 17 të grevës së urisë


Protestuesit socialistë në ditën e 17 të grevës së urisë
Protestuesit socialistë në ditën e 17 të grevës së urisë

Në Tiranë, greva e urisë së deputetëve të Partisë Socialiste dhe 200 përkrahësve të opozitës shënon sot ditën e 17. Në spitalet e kryeqytetit kanë shkuar deri tani 50 grevistë, dhe gjendja po rëndohet edhe për shumë të tjerë. Grevistët pohuan se kjo javë është afati i fundit që ata presin qeverinë t'i japë një zgjidhje kërkesës së tyre për transparencën e zgjedhjeve të kaluara. Drejtuesi i grevës, deputeti Fatmir Xhafa, tha se protesta do të përshkallëzohet, duke mos njohur qeverinë dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Kryetari socialist Edi Rama i bëri sot sërish thirrje qeverisë që sipas tij të angazhohet në zgjidhjen e krizës në interes të të gjithëve e jo të vendoset në pozicionin kokëfortë të pushtetit, siç u shpreh ai.

Komentet e drejtuesit socialist u bënë 24 orë pasi shumica e djathtë, përmes kryetarit të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, hodhi poshtë si në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet, propozimin socialist për të nisur hetimin mbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009 me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore ndërkohë që të pritej mendimi i komisionit të Venecias për çështjen që lidhet me fletët e votimit. Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha, nuk e përmendi sot propozimin socialist, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij, ndërkohë që ripërsëriti se grevistët mund të qëndrojnë aty sa të duan dhe se ai do të respektonte të drejtën e tyre të protestës. Socialistët këmbëngulin se nuk tërhiqen dhe sipas kryetarit Rama shumë të tjerë janë të gatshëm të futen në grevë.

XS
SM
MD
LG