Lidhje

Prova e parë për republikanët pretendentë në zgjedhjet e 2012-ës, të shtunën


Prova e parë për republikanët pretendentë në zgjedhjet e 2012-ës, të shtunën
Prova e parë për republikanët pretendentë në zgjedhjet e 2012-ës, të shtunën

Në politikën presidenciale amerikane, fokusi do të jetë këtë javë në shtetin e Ajouas, ku republikanët do të zhvillojnë votimin e parë provë për pretendentët presidencial të partisë së tyre. Votimi-sondazh i Ajouas, sic njihet ndryshe, shënon fillimin e garës për kandidaturën presidenciale të partisë republikane të vitit të ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone ka përgatitur materialin nga Uashingtoni.


Votimi Sondazh i Ajouas është një provë e parë e popullaritetit dhe forcës organizuese të fushës së gjerë të pretendentëve presidencialë republikan.

Ata që dalin mirë në këtë votim prove do të pozicionohen mirë për të konkurruar në zgjedhjet paraprake të Ajouas shkurtin e ardhshëm, ngjarje që fillon procesin e përzgjedhjes shtet më shtet.

Nëntë pretendentë republikanë kanë emrat e tyre në fletët e votimit. Mes tyre është ligjvënësja nga Minesota Mishel Bakmen, e cila është bërë e preferuara për qarqet konservatore dhe për përkrahësit e lëvizjes“Tea Party” që kërkojnë shkurtimin e buxhetit federal.


“Të heqim Barak Obamën nga presidenca dhe ta kthejmë vendin në rrugën e duhur, të rrisim ekonominë, vendet e punës dhe të rivendosim premtimin për të ardhmen e brezit tjetër. Kjo ka për të ndodhur.


Të tjerë kandidatë në votimin sondazh përfshijnë ligjvënësin nga Teksasi Ron Poll, biznesmenin nga Xhorxhia Hermën Kein dhe ish guvernatorin e Minesotës Tim Polenti.

“Synimi im është të lëviz nga pozicioni i dytë në të parin. Nuk mendoj se duhet të dalë i pari në këtë votim por duhet të tregoj përparim,” thotë zoti Polenti.

Një pretendent, por që nuk konkurron në këtë provë është ish guvernatori i Masacusets Mit Romni.

Si shumë pretendentë të tjerë republikan, Romni është përqëndruar në valën e fundit të lajmeve të këqija nga ekonomia.

“E vërteta është se përgjegjësia ndalet tek tavolina e presidentit, dhe ai ka nevojë të tregojë udhëheqjen e nevojshme për të rivendosur themelet financiare të Amerikës.

Ndërsa fokusi i garës presidenciale do të jetë në Ajoua këtë javë, vëmendja është përqëndruar gjithashtu tek një pretendent tjetër i mundshëm republikan.


Guvernatori i Teksasit Rik Peri pritet të njoftojë vendimin e tij së shpejti në se do të hyjë në garë. Peri ka tërhequr grupe të ndryshme në partinë republikane, përfshi konsevatorët ekonomikë, aktivistët e Lëvizjes “Tea Party” dhe konservatorët socialë.

Guvernatori Peri radhitet i dyti ose i treti në anketat e opinionit publik, pas Mit Romnit edhe pse nuk ka hyrë ende në garë.

Shumë analistë thonë se Rik Peri do të tërheqë më shumë republikanë konservatorë sesa Mit Romni.

Xhon Fortier vëzhgon politikat amerikane në Qendrën për Politika Dypartiake këtu në Uashington.

“Mit Romni është më i organizuari dhe ndoshta grumbulluesi më i mirë i fondeve dhe kështu që ka disa avantazhe institucionale. Detyra e tij kësaj here është të bindë bazën e partisë republikane se është konservator aq sa duhet, veçanërisht në çështjen e kujdesit shëndetësor.

Disa aktivistë konservatorë janë të kënaqur nga prespektiva e hyrjes në garë të zotit Peri.

Anketuesi i Universitetit Kuinipiak, Piter Braun thotë se guvernatori i Teksasit mund të bashkojë fraksione të ndryshme të partisë republikane.

“Sfida e vërtetë për republikanët është të gjejnë një kandidat që mund të tërheqë si krahun e Lëvizjes “Tea Party” ashtu edhe pjesën tjetër të partisë. Duket qartë se sfida e zotit Romni është të sigurojë më shumë mbështetje nga lëvizja “Tea Party”. Edhe kandidatët e tjerë duhet të luajnë me të dyja kampet.

Përvec Rik Perit, dy republikanë të njohur po shqyrtojnë mundësinë e hyrjes në garën për në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm. Ish guvernatorja e Alaskës Sara Pejlin dhe ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani thonë se do të njoftojnë vendimin e tyre muajin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG