Lidhje

Provat me vaksinën kundër malaries, rezultate premtuese


Provat me vaksinën kundër malaries, rezultate premtuese
Provat me vaksinën kundër malaries, rezultate premtuese

Një aleancë ndërkombëtare shëndetësore që punon për të zhvilluar një vaksinë kundër malaries thotë se një prej vaksinave të saj më të përparuara, e quajtur RTSS, po tregon rezultate premtuese. Pas dy vjet provash klinike në Afrikë, Nisma Vaksina kundër Malaries dhe bashkëpunëtorët e saj shpallën se vaksina e re ofron mbrojtje kundër malaries për fëmijët e moshës pesë muajsh deri në 17 muajsh.

Shkencëtarët që po punojnë për vaksinën e parë në botë kundër malaries e quajnë vaksinën e re provë së hap të rëndësishëm historik.

"Për 40 vjet shkencëtarët janë duke u përpjekur për të zhvilluar vaksinën kundër malaries dhe më në fund ky është rezultati."

Dr. Christian Loucq është drejtor i Nismës së Vaksinës kundër Malaries - një grup ndërkombëtare jo-fitimprurëse i përfshirë në vlerësimin e sigurisë dhe efikasitetit të vaksinës së re. Mijëra fëmijë në shtatë vende në Afrikë kanë marrë vaksinën e re. Ekspertët zbuluan se tek fëmijët e vaksinuar, rreziku malaries është përgjysmuar.

Dr. Daniel Ansong është pediatër që shqyrtoi provat e vaksinës në një klinikë në Gana:

"Faza e tretë e provave do të tregoj efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës. Rezultatet janë të qarta dhe të qëndrueshme. Ne jemi shumë të lumtur dhe të inkurajuar për të shkuar përpara."

Dr. Ansong beson se vaksina do të jetë një armë e re e vlefshme në luftën globale kundër malaries.

Kritikët thonë se në provat në terren, vaksina e re ishte vetëm 47 për qind efikase kundër rasteve të rënda të malarjes, një nivel mbrojtjës, thonë ata, që duhet të jetë më i lartë. Por, mjekët pediatër thonë se malaria shkakton 800.000 vdekje të fëmijëve çdo vit, edhe niveli i tanishëm mbrojtës që ofron vaksina e re mund të shpëtojë mijëra jetë njerëzish.

Dr Joe Cohen është bashkë-shpikës i vaksinës RTS S dhe ekspert barnash pranë firmës farmaceutike GlaxoSmith-Kline. Kjo kompani ka investuar 300 milionë dollarë për zhvillimin e vaksinave kundër malaries.

Dr Cohen thotë se puna për zhvillimin e një vaksinë kundër malaries ka qenë një sfidë e madhe shkencore.

"Problemi, është parazit në vetvete. Paraziti Malaria - parazitët në përgjithësi - janë organizma shumë komplekse, me ADN të ndërlikuar me mijëra gjene, krejt ndryshe nga bakteret apo viruset ".

Firma GlaxoSmith-Kline thotë se ka në plan të investojë një shtesë deri 100 milionë dollarë në programin e vaksinës. Shkencëtarët thonë se do të fillojnë provën e vaksinës në shkallë të gjërë pas përfundimit të suksesshëm të fazës së tanishme ku përfshihen 3 prova.

Zhvilluesit e vaksinës kanë në plan t'i paraqesin rezultatet përfundimtare të provave të vaksinës pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2014. Shpresa e tyre është se OBSH-ja do të rekomandojë që vaksina të bëhet një pjesë rutinë e vaksinimit të fëmijëshme për parandalimin e malaries në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG