Lidhje

Scott Pruitt në një seancë të vështirë konfirmimi


Një avokat i shtetit që ka paditur 14 herë Agjencinë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, u përball me pyetje të vështira në kongres për arsyet që e çuan të vërë kandidaturën për të drejtuar këtë agjenci. Prokurori i Përgjithshëm Scott Pruitt është kandidati i presidentit të zgjedhur Donald Trump për të drejtuar Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit EPA. Demokratët kritikuan dje përvojën e tij në luftën kundër agjencisë regullatore dhe lidhjet e tij me industrinë e hidro-karbureve.

Smogu, ndotja e mërkurit, gazet që shkaktojnë efektin serë – të gjithë këta ndotës vëzhgohen nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.

Kur ishte Prokuror i Përgjithshëm i Oklahomës, Scott Pruitt paditi agjencinë EPA për këto çështje dhe të tjera.

Zoti Pruitt tha se paditi për t’u dhënë shteteve kontroll atje ku qeveria federale kishte tejkaluar kompetencat:

"Unë shqetësohem shumë për mjedisin. Agjencia duhet të rivendosë marrëdhëniet për të cilat ka udhëzuar kongresi, si rolin e shteteve për të përmirësuar mjedisin tonë."

Por kundërshtarët thanë se zoti Pruitt po sakrifikon ambjentin për kompanitë e hidro-karbureve, një industri e fuqishme në Oklahoma.

Demokrati nga Oregoni, Jeff Merkley tregoi një letër të vitit 2011 që zyra e zotit Pruitt i kishte dërguar agjencisë EPA, kopjuar pothuajse fjalë për fjalë nga një kompani energjie:

"Ju e përdorët zyrën tuaj si një zgjatim të drejtpërdrejtë të një kompanie nafte sesa një zgjatim direkt të interesave të shëndetit publik të popullit të Oklahomës."

Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë se ndryshimet klimatike janë një trillim, megjithëse tani thotë se ka një mëndje të hapur rreth kësaj çështje. Zoti Pruitt nuk është dakort me këtë nocion, por pikëpamja e tij nuk kënaqi ish kandidatin demokrat për president Bernie Sanders:

"Unë besoj se aftësia për të matur me saktësi shkallën e ndikimit të aktivitetit të njeriut mbi klimën është subjekt i më shumë debateve, nëse klima po ndryshon apo nëse aktiviteti njerëzor po kontribuon në të."

"Ndonëse ju nuk jeni i siguritë, shumica e shkencëtarëve na thonë se nëse nuk veprojmë së bashku dhe transformojmë sistemin tonë të energjisë larg hidro-karbureve, shtrohen pikëpyetje rreth cilësisë së planetit që do të lemë për fëmijët tanë dhe brezin tjetër."

Konservatorët kanë kundërshtuar fuqishëm rregullat për ndotjen e ujit dhe ajrit të vendosura nga administrata Obama.

Republikani i Alaskës, Dan Sullivan tha se zoti Pruitt mund të rivendosë marrëdhëniet e tensionuara mes agjencisë EPA dhe Amerikës rurale në veçanti:

"Ka shumë zemërim, bile edhe frikë për këtë agjenci në një pjesë të madhe të vendit. Besoj se ju jeni njeriu i duhur për të ndryshuar këtë."

Ambjentalistët po nxisin disa senatorë republikanë të bllokojnë konfirmimin e zotit Pruitt.

XS
SM
MD
LG