Lidhje

PS, ftesë për dialog për procesin e zgjedhjes së Presidentit

  • Zëri Amerikës

Kryetari socialist Edi Rama i dërgoi sot një letër kryeministrit Sali Berisha dhe drejtuesve të partive të tjera parlamentare në të cilën ai i ftonte të takoheshin për të nisur një dialog konstruktiv për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Në letrën e tij zoti Rama thekson se “proçesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është shumë më shumë se sa një proçedurë parlamentare e radhës”.
Sipas tij, edhe në kontekstin e përpjekjeve të Shqipërisë që synon të marrë, pas tre vitesh, statusin e vendit kandidat në Bashkimin europian “kjo zgjedhje kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë” duke e konsideruar si “një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë që përkon edhe me 100 vjetorin e shtetit shqiptar”.
Zoti Rama thekson më tej se “po kaq e rëndësishme është edhe për qytetarët shqiptarë, që në fund të një proçesi të mundshëm gjithpërfshirës mes gjithë palëve parlamentare për zgjedhjen e kreut të shtetit, të kenë një President garant të Kushtetutës dhe të institucioneve, e jo një noter partiak të një pale të vetme”.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha ndonëse është shprehur për një kandidature nga drejtuesit e partisë demokratike, nuk ka shmangur mundësinë e konsultimeve edhe me opozitën. Procesi për zgjedhjen e presidnetit pritet të nis në fund të muajit të ardhshëm. Kushtetuta parashikon në tre raundet e para, një votim më tre të pestat dhe në dy raundet e fundit me shumicë të thjeshtë.
XS
SM
MD
LG