Lidhje

PS kërkon të hetohet kryeministri Berisha, krahas deputetëve socialistë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011


PS kërkon të hetohet kryeministri Berisha, krahas deputetëve socialistë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011
PS kërkon të hetohet kryeministri Berisha, krahas deputetëve socialistë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011

Partia Socialiste i kërkoi prokurorisë që të hetojë edhe kryeministrin Sali Berisha për ngjarjet e 21 janarit, përndryshe hetimi i 3 deputetëve socialistë e shndërron vetë prokurorinë në një pengesë për drejtësinë e plotë të atyre ngjarjeve. Deklarata e publikuar nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, theksonte se kryetari Edi Rama është në dispozicion të prokurorisë bashkë me të gjithë deputetët. Megjithatë, deklarata përshkohej nga dyshimi se pse prokuroria kishte veçuar 3 deputetë socialistë kur të gjithë ata kishin vepruar njëlloj, dhe njëlloj janë të gatshëm të hetohen të gjithë. ]

“Të kërkosh imunitetin e tre deputetëve opozitarë dhe jo të Sali Berishës, që ka përgjegjësinë e madhe të vrasjeve të 21 janarit, nuk është aspak normale. Opozita shqiptare akuzon Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për përdorimin e pushkëve ndaj popullit, me pasojë vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.”

Ashtu si opozita me kërkesën për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve socialistë, edhe qeveria nga ana tjetër u shfaq e pakënaqur nga vendimi i prokurorisë për të arrestuar komandantin e gardës, shoferin e tij dhe përgjegjësin e rrjetit kompjuterik në kryeministri. Zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli, deklaroi se zoti Berisha mbetet i vendosur për një hetim të plotë të rrethanave të 21 janarit kur pas 5 orë sulmi ndaj forcave të rendit humbën jetën 4 qytetarë, dhe u plagosën dhjetëra të tjerë civilë e ushtarakë, si një kusht për mbizotërimin e ligjit. Zonja Mëhilli theksoi nga deklarata se, në koordinim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, Prokurorja e Përgjithshme nuk ka marrë asnjë masë gjatë një viti hetimesh ndaj atyre që organizuan, sponsorizuan dhe realizuan sulmin ndaj Këshillit të Ministrave, por në prokurori janë prishur, zhdukur dhe shitur prova dhe dëshmi të shumta të këtij hetimi.

“Gjatë një viti e deri sot, nuk ka asnjë të penalizuar nga organizatorët dhe sponsorizuesit e aktit antikushtetues të 21 Janarit 2011, as dhe për ata që montuan dhe shpërndanë videon që tregonte Kryeministrin të implikuar në çështje që nuk kishin asnjë lidhje me të. Po kështu, janë të lirë të gjithë ata që në dhjetëra raste, pohuan me shkrim se kishin ardhur të paguar për të rrëzuar qeverinë, ata që me hunj, gurë, shishe molotov, sulmuan dhe plagosën qindra policë dhe gardistë, ata që morën veturën dhe thyen me të derën e oborrit të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të pushtohej ndërtesa e Këshillit të Ministrave” – tha zonja Mëhilli.

Prokuroria shqiptare kërkoi sot arrestimin e Komandantit të Gardës së Shqipërisë, Ndrea Prendi, pasi dyshohet se nga arma e tij personale është vrarë një nga protestuesit në 21 janarin e një viti më parë. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi para medias se njëri nga 11 plumbat e armës së zotit Prendi ka marrë jetën e protestuesit Faik Myrtaj.

“Nga aktet e ekzaminimeve balistike të kryera si në laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë, ashtu edhe në laboratorët e kriminalistikës së FBI në SHBA, rezulton e provuar tej çdo dyshimi se nga arma personale e shtetasit Ndrea Prendi, pistoletë tip Beretta e kalibrit 9 mm janë realizuar 11 qitje në drejtim të turmës. Një nga predhat që është qitur nga arma e shtetasit Ndrea Prendi, ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj. Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, ky person duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit tjetër nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke patur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij” – tha zonja Rama.

Prokuroria kërkoi edhe arrestimin e shoferit të komandantit Prendi dhe një punonjësi të kryeministrisë për fshehje të krimit, njëri për armën personale dhe tjetri për fshirjen e regjistrimeve në kamera. Zonja Rama tha se prokuroria i kërkoi parlamentit të heqë imunitetin parlamentar 3 deputetëve të opozitës Besnik Bare, Tom Doshi, Taulant Balla pas dyshimeve për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm gjatë protestës së 21 janarit.

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, deklaroi në konferencë përkrah zonjës Rama se mbështetja amerikane ka qenë dhe do të jetë e plotë që këto hetime të jenë të besueshme, të pavarura dhe gjithëpërfshirëse.

XS
SM
MD
LG