Lidhje

Shqipëri, PS publikon programin e saj qeverisës

  • Armand Mero

Në Shqipëri e majta në pushtet ka bërë publik programin e saj qeverisës i cili pritet t’i nënshtrohet debatit në parlament për t’i hapur rrugë edhe votës për kabinetin e ardhshëm të kryeministrit Edi Rama. Programi është ndërtuar mbi pesë kapituj duke nisur me integrimin europian, rolin e Shqipërisë në Ballkan, sigurinë dhe shtetin e së drejtës e duke vazhduar me zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike. Ndërsa në të janë përfshirë të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës, për shumicën dërrmuese nuk jepen afatet kohore apo etapat e realizimit të tyre.

Programi i ardhshëm qeverisës shoqërohet nga një hyrje e kryeministrit Edi Rama i cili thekson se misioni i së majtës është që “të të ecë më shpejt për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” dhe se vlerat mbi të cilat ajo do të mbështetet do të jenë Liria, Përgjegjësia dhe Solidariteti. “Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës; Përgjegjësia e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit; dhe Solidaritet me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale”, shpjegon zoti Rama.

I gjithë programi është ndërtuar mbi 5 shtylla kryesore duke nisur nga integrimi në Bashkimin Europian. “Marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në bashkimin Evropian do të përbëjnë përparësinë e veprimit politik të shumicës së re”, theksohet në program, por pa përcaktuar se kur Shqipëria synon ta arijë këtë objektiv, vecanërisht hapjen e bisedimeve. Në këtë kapitull zë vend politika e jashtme e vendit, ku SHBA dhe Bashkimi europian përcaktohen si partnerët strategjik të vendit, së bashku me Italinë dhe Greqinë. Në partnerët strategjik është përfshirë edhe Turqia, ndërkohë që vecohen edhe marrëdhëniet me Kosovën me të cilin nënvizohet se do të nënshkruhet “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë”. Një vend të posacëm i kushtohet rolit dhe pozitës së Shqipërisë në rajon “si model frymëzimi, faktor paqeje dhe stabiliteti demokratik”, theksohet në programin e qeverisë së re.

Një pjesë voluminoze zë kapitulli për Shtetin e së drejtës dhe demokratizimin e Shoqërisë. Rivendosja e rendit dhe sigurisë vlerësohet si një prioritet absolut, me objektiv “shembjen e murit të pandëshkueshmërisë dhe imuniteteve të paligjshme”, nënvizohet në program ku parashikohet një ristrukturim i policive, “Parimi i reformës “Një Shtet – Një Polici” do të bëjë të mundur njësimin e funksioneve policore të disa agjencive ligjzbatuese të ngjashme, duke eleminuar mbivendosjen e kompetencave, anarkinë e veprimit ose mosveprimin, si dhe duke garantuar standardizimin e veprimit në territor dhe kohë”, nënvizon programi. Ndërsa për luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve e majta parashikon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një njësi e specializuar që do të ketë në fokus edhe luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Theks i vecantë I është vënë luftës ndaj korrupsionit. “Qeveria do të intensifikojë ndjeshëm luftën ndaj këtij, duke çmontuar murin e paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë. Qasja në luftën kundër korrupsionit – shpjegohet në program - do të përqendrohet tre drejtime: parandalim, ndërgjegjësim dhe ndëshkim”. Qeveria shpjegon se do të propozojë një reformim të thellë të sistemit të ndjekjes penale kundër korrupsionit.

Të majtët angazhohen për ndërhyrje të thella edhe në Drejtësi duke premtuar se do të ndërmarrin “të gjitha nismat ligjore dhe masat në kompetencën tonë për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, si dhe reforma rrënjësore, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë”. Duke u angazhuar për të përmirësuar strukturën e funksionimit të sistemit të Drejtësisë qeveria e re deklaron se do të ndryshojë ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe atë për funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe se do të ndërmarrë amendime të Kodit të Procedurës Penale.

Në programin e tyre të majtët angazhohen për zgjidhjen e cështjes së pronave, legalizimeve, kompensimin e ish të përndjekurve politik. Një tjetër reformë e rëndësishme e paralajmëruar në program është ajo “për rishikimin e ndarjes administrativo-territoriale e cila do të vihet në zbatim në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2015, si dhe reformën që do të synojë krijimin e rajoneve dhe rikonfigurimin e qarqeve sipas modeleve evropiane të Rajoneve Vetëqeverisëse”, saktësohet në program.

Në kapitullin për Ekonominë e majta flet për nevojën e jë modeli të ri ekonomik të zhvillimit të vendit. “Garantimi i rritjes së qëndrueshme nënkupton faktin se do të gjenden dhe idnetifikohen “burimetë reja që ushqejnë rritjen ekonomike” apo dhe “zëvendësuesit” e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afatshkurtra e afatmesme pritet të kontribuojnë shumë më pak se deri më tani”, shpjegohet në program. Strategjia për rritjen ekonomike parashikohet të zbatohet përmes “ristrukturimit ekonomik dhe reformave të vërteta strukturore, rritjes me prioritet të prodhimit të brendshëm, diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve, adoptimit masiv të teknologjive të reja”. Manifaktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agroindustria, arsimi dhe shërbimet, vlerësohen si sektorët prioritarë për dy dekadat e ardhshme të zhvillimit. Edhe këtu nuk jepen afate kohore brenda së cilave do të kalojë kjo strategji as edhe me cfarë ritmi parashikohet të rritet aktiviteti ekonomik i vendit. Sikurse nuk ka afate të qarta as për zbatimin e politikave të reja fiksale ku parashikohen renduktime të një numri taksash në ndihmë të biznesit vecanërisht tij të vogël, apo të sipërmarrjes bujqësore. Edhe për taksën progresive, e cila qe në qendër të debateve të fushatës zgjedhore, përmendet se do të ketë një “zhvendosje nga politika e taksimit të sheshtë, drejt politikës së taksimit progresiv” por pa shpjeguar se në cfarë mase do të shtrihet dhe kur. Vetëm për borxhin publik, theksohet se do të synohet ulja e tij duke nisur nga gjysma e dytë e mandatit.

Edhe për sistemin e shëndetësisë, një prej premtimeve kryesore, se do të jetë falas, thuhet se do të zbatohet një reformë radikale që “do të ofrojmë një mbulim universal për kujdesin shëndetësor për gjithë shqiptarët rezidentë ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor, sepse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare”, saktëson programi. Ndërsa për Arsimin gjithashtu premtohet një rritje e financimeve publike me synimin që ato të shkojnë në 5 përqind të proshimit të brendshëm bruto.
XS
SM
MD
LG