Lidhje

Thellohet skandali i korrupsionit gjyqësor në Pukë


Ka marrë përmasa të reja skandali i korrupsionit në Gjykatën e rrethit të Pukës, një nga gjykatat e vogla në veri të Shqipërisë. Pas shkarkimit, disa ditë më parë, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kryetarit të kësaj gjykate, policia e shtetit njoftoi një ditë më parë për arrestimin e 6 përsonave, të dyshuar si pjesë e skandalit korruptiv të investiguar prej disa muajsh nga emisioni i njohur televiziv Fiks Fare. Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, njoftoi përmbylljen e operacionit policor "Shpërblimi" me arrestimin e 6 personave mes të cilëve një prokuror dhe dy mbrojtës ligjorë.

Në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Pëllumb Prençi, Prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, Liljana Shkjau me detyrë sekretare Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, Meliha Kukaj kancelare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Fran Dashi, me profesion mbrojtës ligjor pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë, Friz Xhurxhi edhe ky mbrojtës ligjor pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë si dhe shtetasi Dëfrim Prençi.

Arrestimi i këtyre punonjësve të sistemit të drejtësisë është bërë në funksion të hetimit të kryer në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kjo në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Tiranës, e cila ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg" duke ndërprerë aktivitetin kriminal të kryer prej tyre në fushën e korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

6 të arrestuarit akuzohen për disa vepra të rënda penale si “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” apo “Mashtrim për qëllim përfitimi”.

Personat e arrestuar dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërhyrë në procedurat ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në “Detyrim paraqitje” me qëllim përfitimin e shpërblimit financiar.

Dy ditë më parë, gjatë paraqitjes në qytetin e Pukës të kryetarit të ri të kësaj gjykate, Bibë Ndrecës, zëvendës Kryetari i Këshllit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, i kërkoi trupës gjyqësore dhe stafit administrativ të kësaj gjykate përgjegjësi dhe përkushtim për t’i dëshmuar komunitetit se drejtësia nuk është ajo që është shfaqur në pamjet e skandalit të trasmetuar në televizion. Gjithashtu, ai i kërkoi organit të prokurorisë që të hetojë me shpejtësi dhe objektivitet ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gjykatën e rrethit të Pukës.

Skandali në Gjykatën e rrethit të Pukës nisi disa muaj më parë pas arrestimit të 6 pjesëtarëve të një familje, të cilet morën pjesë në një protestë kundër pasojave që po sillte në pronat e tyre dhe në mjedis kompania e përpunimit të bakrit në Fushë Arës.

Pamjet filmike të Fiks Fare dëshmuan se, për ndryshimin e masës së arrestit të tyre, u paguan shuma të konsiderueshme dhe se një rrjet i mirorganizuar korruptiv funsiononte si brenda, ashtu edhe jashtë Gjykatës së Pukës.

Prej vitesh, në perceptimin qytetar, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është mjaft i korruptuar, gjë që pasqyrohet edhe në raportet e ndërkombëtarëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG