Lidhje

Pullat fiskale, Rama: Do heqim monopolin


Kryeministri deklaroi sot se koncesioni i dhënë që në 2011 është kthyer në një problem dhe në një barrë për bizneset dhe vet shtetin

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të ndërhyhet ndaj monopolit të prodhimit dhe shpërndarjes së pullës fiskale për mallrat me akcizë e cila është kthyer në një problem dhe në një barrë për bizneset dhe vet shtetin, deklaroi zoti Rama. Ky aktivitet që prej vitit 2011 i është dhënë me koncesion një kompanie zvicerane, ndonëse u kundërshtua nga biznesi për shkak të cmimeve tepër të larta të parashikuara në kontratë, disa herë më shumë se ato të vendeve të rajonit.

Pulla fiskale në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00


Gjatë vitit 2010 dhe në fillim të 2011 kur qeveria e djathtë dhe parlamenti miratuan dhënien me koncesion një kompanie zvicerane, të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale për mallrat me akcizë, duhanin, pijet alkoolike dhe birrën, kjo u justifikua me ofrimin e një shërbimi të modernizuar, ku përmes pullës fiskale parashikohej edhe gjurmimi i mallit. Përfaqësuesit e biznesit e kundërshtuan në atë kohë këtë koncesion për shkak të tarifave të larta, dy deri tre herë më të larta.

Sot, kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me biznesin, tha se ky ishte një koncesion problematik sepse sipas tij “nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi. Nuk ka sjellë asnjë lloj investimi të konsiderueshëm dhe përmirësimi teknologjik të lavdërueshëm, për të mundur të quhet i arsyeshëm. Pastaj, sigurisht, pasoja është që i merr arkës së shtetit, nga xhepat e biznesit, një sasi parash që është tërësisht e paarsyeshme dhe duke rënduar edhe biznesin. Pra, rëndon biznesin, rëndon mbi buxhetin e shtetit dhe nuk sjell asnjë lloj përmirësimi, në asnjë aspekt. Është një situatë e papranueshme”.

Sipas kontratës kompania zvicerane i paguante Shtetit 2 milion euro në vit, ndërkohë që me tarifat e aplikuara llogaritet, sipas ekspertëve, që ajo të marrë nga ky aktivitet 15-20 milion euro. Zoti Rama premtoi se shumë shpejt do të ofrohet zgjidhja e këtij problemi: “Ministria e Zhvillimit Ekonomik pothuajse është në përfundim të studimit. Shumë shpejt qasja e zgjedhur do të jetë publike. Ne do të japim propozimin tonë për Parlamentin, për të shpëtuar biznesin nga ky monopol dhe për të lehtësuar dhe shpatullat e shtetit, që rëndohen, për shkak se ka një ndarje tërësisht të paarsyeshme të kontributit të biznesit mes shtetit dhe koncesionarit në fjalë”.

Varianti që duket se do të ofrohet nga qeveria do të jetë liberalizimi i tregut e ndoshta marrja sërish në dorë të shtetit të prodhimit të pullave fiskale, me një kosto shumë më modeste se ajo aktualja.

Qeveria e zotit Rama që në javët e para të marrjes së detyrës anulloi disa koncesione për hidrocentrale. Kryeministri tha sot se po shihen me kujdes edhe koncesionet e tjera që sipas tij janë bërë përmes praktikave abuzive në dëm të shtetit dhe të konkurrencës në treg.
XS
SM
MD
LG