Lidhje

Puna e agjentëve të zbulimit dhe zyrtarëve të rendit

  • Greg Flakus

Puna e agjentëve të zbulimit dhe zyrtarëve të rendit

Puna e agjentëve të zbulimit dhe zyrtarëve të rendit

Ndërsa bota reagon ndaj lajmit për vrasjen e udhëheqësit terrorist, Osama Bin-Laden, puna e agjentëve të zbulimit dhe zyrtarëve të rendit, që vazhdojnë të ndjekin dhe ndalojnë terroristë të tjerë, qëndron larg vemendjes së mediave. Një njeri që e njeh mirë atë botë të panjohur është Fred Burton, analist për kompaninë Stratfor me seli në Austin të Teksasit, një firmë private zbulimi që e ka shtrirë veprimtarinë e vet në botë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus njofton nga Houstoni i Teksasit se në dy libra që ka shkruar, zoti Burton përshkruan punën tepër të vështirë, që fshihet pas arritjeve të sukseshme, siç ishte operacioni amerikan në Pakistan.

Kur Fred Burton filloi të punonte për Shërbimin e Sigurisë Diplomatike pranë Departamentit të Shtetit nga mesi i viteve 1980-të, ai ishte pjesë e një ekipi prej 3 anëtarësh, që përpiqej të ndiqte të dyshuar terroristë për të mbrojtur diplomatët amerikanë nëpër botë. Sot ekipe të tilla janë shumë më të mëdha, jo vetëm në Departamentin e Shtetit, por edhe në agjenci të tjera amerikane, që punojnë në fushën e kundërterrorizmit.

Që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë hapa agresive për të ndalur terroristët dhe për të ndihmuar sa më shpejt në çdo incident që mund të ndodhë. Zoti Burton mendon se, si rezultat Amerika është më e sigurtë, por nuk mund të jetë kurrë plotësisht e sigurtë.

"Sot ne jemi më të përgatitur për një sulm të mundur si ai i 11 shtatorit 2001. Ekipet e përgjigjes së shpejtë janë të stërvitur. Fatmirësisht, mendoj se Byroja Federale e Hetime, FBI, ka bërë një punë shumë të mirë për të neutralizuar çdo lloj kërcënimi strategjik në tokën amerikane. Megjithatë, individë të veçantë do të jenë gjithnjë të aftë të vrasin thuajse këdo që duan".

Eksperti Burton thotë se akte të individëve, që nuk kanë drejtpërdrejt lidhje me ndonjë organiozatë terroriste, janë thuajse të pamunura për t’i parashikuar e ndalur, por kërcënimet më të mëdha vijnë nga organizata, që mund të planifikojnë dhe bashkërendojnë sulme më të mëdha, të cilat përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm. Ndjekja e grupeve të tilla nëpër botë është një detyrë e vështirë, por zoti Burton thotë se burrat dhe gratë e angazhuar në këtë fushë punojnë pa pushim dhe për arsye të natyrës së punës së tyre, kjo punë duhet të bëhet në mënyrë sekrete.

"Ёshtë një punë shumë e vështirë dhe shumë më e ndërlikuar se sa kur unë punoja në këtë sektor. Unë e di fare mirë se sa e vështirë është për familjet e këtyre punonjësve, madje e di se 95 për qind e tyre nuk do të falenderohen ashtu siç e meritojnë".

Fred Burton ka shkruar dy libra rreth përvojës së tij në ndjekjen e terroristëve: "Fantazma, rrëfimet e një agjenti kundërterrorizmit" dhe më së fundi librin me titull, "Në ndjekje të hijeve: ndjekja për jetë e një agjenti special për të nxjerrë para drejtësisë një vrasës të luftës së ftohtë".

Libri i dytë përqëndrohet në rastin e Josef Alon, diplomat izraelit, që u vra në Bethesda të shtetit Maryland më 30 qershor, 1973, vendbanimi në atë kohë i zotit Burton. Alon ishte zv. atashe në ambasadën izraelite në Uashington. Kjo ishte vrasja e parë e një diplomati në zonën e Uashingtonit.

Alon kishte një karierë të gjatë në ushtrinë izraelite, por nuk kishte asnjë karakteristikë që ta identifikonte atë si agjent zbulimi në ambasadën në Uashington, apo ndonjë arsye të veçantë që ai të vihej në shënjestër të terroristëve.

Për disa vjet çështja mbeti e hapur dhe thuajse e braktisur. Më vonë, zoti Burton u angazhua më drejtpërdrejt në përpjekjet e vetë familjeve dhe disa nëpunësve të rendit për të gjetur vrasësit.

"Familja më kërkoi të gjeja vrasësit e babait të tyre. Agjenti i FBI-së, që mori pjesë në hetimet fillestare dhe dedektivi i rasteve të pazgjidhura në departamentin e policisë, që e mori këtë çështje, luajtën një rol shumë të rëndësishëm. Pra ishte një ekip që bëri punë shumë të mirë për të gjetur autorët e vrasjes si dhe arsyet".

Pas zbulimit të botës së errët të organizatave terroriste, zoti Burton arriti në përfundimin se vrasja ishte kryer nga organizata terroriste palestineze Shtatori i Zi. Kjo organizatë kishte vrarë edhe 11 atletë izraelitë në lojrat olimpike të vitit 1972 në Gjermani. Më vonë, agjentët izraelitë i gjetën dhe vranë shumicën e anëtarëve të kësaj organizate.

Megjithëse libri i zotit Burton nuk përmban prova të sakta të vrasjes së diplomatit Alon, ai jep një pasqyrë të mënyrave dhe arsyeve se pse një grup terrorist mund të kryejë një krim të tillë.

Që prej vrasjes më 1973 në Bethesda, zoti Burton ka punuar shumë më tepër në analizmin e terrorizmit dhe të kërcënimeve terroriste. Por ai mban gjithashtu një listë me emrat e terroristëve të dyshuar që ai ka ndjekur në të kaluarën dhe ndjen kënaqësi të madhe kur i vë vizën emrit të njërit prej tyre, sapo ai të jetë kapur, apo vrarë.

XS
SM
MD
LG