Lidhje

Punimet e TAP nxjerrin në dritë objekte arkeologjike në Shqipëri

  • Raimond Kola

Kompania e Gazsjellësit TransAdriatik, TAP, tha se gjatë gërmimeve për përmirësimin e rrugës Çorovodë – Polenë - Skrapar, u zbulua një objekt arkeologjik i ruajtur në gjendje të mirë.

Sipas vlerësimit të specialistëve të trashëgimisë kulturore objekti është një kapitel 40 cm i lartë, i dekoruar me motive floreale të gdhendura dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një monumenti të rëndësishëm fetar të kësaj zone. Ekspertët e trashëgimisë kulturore vlerësojnë se objekti arkeologjik i zbuluar është i shekullit të VI -të te erës sonë dhe i përket një monumenti të hershëm të krishterë.

Lënda e parë e përdorur për kapitelin është gur gëlqeror cilësor dhe trupi i tij është zbukuruar me vija të thelluara që krijojnë tetë figura florale të përsëritura dhe që lidhen në mënyrë harmonike me njera-tjetrën. Përmasat, forma dhe zbukurimet e tij sugjerojnë krahasime relativisht të sigurta me shumicën e monumenteve paleokristiane në Shqipëri.

Objekti arkeologjik, sipas kompanisë TAP, u identifikua nga një prej manovratorëve që po kryente gërmime gjatë rehabilitimit të rrugës i cili menjëherë sinjalizoi ndërprerjen e punimeve. Nga kontrollet dhe inspektimet e zonës nuk janë zbuluar objekte të tjera arkeologjike. Megjithatë, ky zbulim ofron fakte të reja mbi rëndësinë e kësaj zone gjatë antikitetit të vonë. Kapiteli u është dorëzuar autoriteteve shqiptare për vlerësime të mëtejshme si edhe për t’i gjetur një “shtëpi” të re artefaktit ku mund të ekspozohet.

XS
SM
MD
LG