Lidhje

Punimet grafite zhvendosen nga rrugët në galeritë e Los Anxhelosit


Punimet grafite zhvendosen nga rrugët në galeritë e Los Anxhelosit
Punimet grafite zhvendosen nga rrugët në galeritë e Los Anxhelosit

Për shumë artistë, punimet në mur, megjithëse të paligjshme, mbeten mënyra kryesore e shprehjes së tyre artistike

Fillimisht shihej akt vandalizmi, por tani grafitet po kalojnë nga muret e rrugëve në galeri artesh. Në Los Anxhelos, kjo formë arti është biznes i madh, që ka krijuar galeri të posaçme për prezantimin e këtyre punimeve, dyqane të specializuara për shitjen e bujërave dhe mure të mbuluara me veprat e artistëve të grafiteve:

Për disa njerëz, grafitet janë një pamje ofenduese, për të tjerë janë kryevepra. Arti i rrugës ka avancuar shumë nga fillimet e tij si shprehje e individualitetit të bandave kriminale në Nju Jork në vitet 1970 ’80.

Tani hapësira të tëra në qendër të Los Anxhelosit shërbejnë si telajo për stile të ndryshme, që nga fanta-shkenca e deri tek stili psikodelik. Frymëzimi rrjedh nga burime të ndryshme, që nga politika e deri tek kultura popullore. Shumë prej punimeve gjejnë frymëzim nga librat me ilustrime.

Australiani Anthony Lister, e ka mbështetur karrierën e tij tek kjo formë arti. Ai jeton në Nju Jork por udhëton vazhdimisht për ekspozita. Ai e konsideron grafitin një formë demokratike arti, ku mund të marrë pjesë kushdo:

"E gjithë kjo zhvendosje e artit të rrugës është e ngjashme me momentin kur fotografia filloi të realizohet në formë dixhitale. Të gjithë fotografët e mëdhenj arritën në përfundimin se fotografia u bë në atë moment profesion i të gjithëve. Grafitet janë një skenë ku stilistë, akademikë dhe të rinj, të gjithë mund të komunikojnë mes tyre”.

Një artist në Los Anxhelos, i njohur thjesht si Seraf, shpjegon ekzistencën e një tradite të lashtë në punën e tij:

"Grafitet kanë rrjedhur nga qytetërimet e lashta. Praktikisht, të gjitha heroglifet që shohim në piramidat e Egjiptit, deri tek glifet e romakëve, grekëve dhe actekëve apo inkave e deri tek vizatimet në shpellat e Francës, të gjitha ishin një formë grafitesh”.

Matthew Stibbe, pronar i një dyqani bojërash, është një nga bizneset që kanë përfituar nga bumi që ka njohur vitet e fundit kjo formë arti. Dyqani i tij në Los Anxhelos është ndër më të mëdhenjtë në Shtetet e Bashkuara dhe i pari dyqan me pajisje dhe furnizime për artin e rrugës. Zoti Stibbe thotë se grafitet kanë përjetuar ndryshime të shumta:

“Që nga ditët kur u shfaq në Nju Jork nëpër trenat e metrosë, e më pas këtu në Los Anxhelos nëpër mure, ka kaluar nëpër një evolucion”.

Një galeri në Los Anxhelos është e përkushtuar ndaj artit të rrugës. Pronarët e galerisë Lab Art lidhen me artistë që riprodhojnë punimet e tyre në telajo. Në këtë mënyrë, një punim që i kishte fillimet në një mur në Los Anxhelos, arrin të ekspozohet dhe të shitet si çdo formë tjetër arti, thotë Iskander Lemseffer:

"Duam që t’i japim artit të rrugës vendin që i takon në historinë e artit. Në rrugë, këto punime lahen, mbulohen vazhdimisht me bojë. Ne duam t’i bëjmë këto punime të pavdekshme. Pra grafitet e rrugëve përpiqemi t’i hedhim në telajo ose në panele druri, që njerëzit t’i blejnë e t’i kenë përherë në shtëpitë e tyre”.

Galeria Lab Art ka aktualisht mbi 300 vepra në ekspozim, punime të më shumë se 50 artistëve. Kultura popullore është një temë kryesore, me punime që përjetësojnë artistë si Kanye West, Jay-Z, apo Paris Hilton dhe Andy Warhol.

Bashkëpronarja e galerisë, Rachel Joltson, e ka të qartë se ekzistojnë kontradikta dhe tensione mes artit të rrugës dhe artit bashkëkohor:

"Shumë prej këtyre artistëve në punimet e tyre tallen me artin bashkëkohor dhe me ato që vërehen në shoqëri. Shumë prej frymëzimit është në formën e kritikës ndaj shoqërisë, e realizuar në mënyrë satirike. Ka forma të ndryshme të artit të rrugës, një pjesë është serioze, por ka edhe punime humoristike. Gjithçka varet nga artisti”.

Por Roger Gastman, autor i librit "Historia e Grafiteve Amerikane” thotë se esenca e kësaj forme arti është fakti që është e paligjshme. Po të eliminosh këtë fakt, thotë ai, pra pa natyrën klandestine, nuk bëhet më fjalë për grafite.

"Nëse fillon të pikturosh mbi mur, pasi ke marrë leje, je thjesht një piktor afreskosh. Por forma e vërtetë e artit të grafitit është e paligjshme. Ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë e tillë. Nuk ekziston koncepti i një artisti të ligjshëm grafitesh. Artistët e grafiteve bëjnë edhe punime të ligjshme, por këto punime bazohen në famën që artisti ka marrë nga punimet e paligjshme në rrugë”.

Për disa nga këta artistë, rruga mbetet telajoja më e madhe për frymëzimin e tyre, në formë të ligjshme apo të paligjshme.

XS
SM
MD
LG