Lidhje

Ekspozita rreth punëtorëve “Bracero”


Kur qindra mijëra amerikanë ikën për të luftuar gjatë Luftës së II-të Botërore, ata lanë pas vende pune të hapura nëpër ferma dhe fabrika. Një zgjidhje për t’i mbushur vendet e punës ishte Programi Urgjent i Plotësimit të Vendeve të Punës në Ferma, i vitit 1942. Ai ishte një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, i njohur ndryshe si Programi Bracero, i cili lejoi 4,5 milionë meksikanë të punojnë në Shtetet e Bashkuara gjatë 22 vjetëve që u zbatua.

Të mirat dhe të metat e këtij programi janë tashmë pjesë e një ekspozite të re të hapur në institutin Smithsonian, ndërkohë që ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e një programi të ngjashëm si pjesë e reformës së imigracionit.

Ideja për të ardhur dhe punuar në Shtetet e Bashkuara i ishte ngulitur në mendje Saturnino Gonzales Diaz-it nga babai i tij.

“Kur linda unë, babai im ishte në Çikago. Dhe ai më thonte gjithmonë, Çikago, Çikago.”

Babai i tij ishte një nga punëtorët e parë që përfitoi nga programi Bracero. Në vitin 1943, ai gjeti punë në hekurudhën e Çikagos. Përvoja dhe të ardhurat e fituara bënë të mundur që Saturnino dhe familja e tij të jetonin mirë në Meksikë.

“Ai bleu një shtëpi në atë kohë. Dhe më fliste rreth Bracerove gjithmonë, dhe se donte të shkonte atje.”

Kur Saturnino u pranua në programin Bracero në fillim të viteve ’60, ai shkoi në Kaliforni për të mbledhur fruta dhe perime.

“Para se të vija në Shtetet e Bashkuara, isha boksier, dhe bëja shumë ushtrime fizike. Fushat s’janë asgjë për mua. Jam kampion në mbledhjen e luleshtrydheve.”

Edhe pse përvoja e Saturninos ishte pozitive, për Lorenzo Canon ishte ndryshe në fushat e Teksasit. Ai thotë se e paguanin më pak se një dollar në ditë dhe për shkak të kësaj, përvoja e tij dhe disa të tjerëve nuk ishte fare e mirë.

Geraldo Cadava është asistent profesor në Universitetin Northwestern:

“Mendoj se përvoja e punëtorëve Bracero varej nga vendi, lloji i punës dhe prirjet e punëdhënësve të ndryshëm,”

Ekspozita Bittersweet Harvest, e cila po shfqet në Universitetin Northwestern, tregon të mirat dhe të këqijat e programit Bracero.

“Disa shtete, si Teksasi për shembull, u përjashtuan nga programi për shkak se shfrytëzimi i punëtorëve ishte më i përhapur atje se sa në shtete të tjerë,” thotë zoti Cadava.

Kur programi mbaroi, shumë imigrantë qëndruan përfundimisht në Shtetet e Bashkuara për t’u vendosur atje ku kishin punuar.

Në mes të debatit aktual rreth reformës së imigracionit në Kongres, disa ligjvënës duan të fillojnë një program të ri Bracero. Geraldo Cadava:

“...Mendoj se ata që thonë se thjesht kemi nevojë për një program të ri sot nuk po i kushtojnë vëmendje kompleksitetit të programit dhe faktin se punëtorët Bracero shfrytëzohen shumë.”

Saturnino, i cili tani jeton në Çikago ku punoi i ati, mendon se një program i ri mund të frenojë imigracionin e paligjshëm dhe deportimet e kushtueshme.

“Nëse je i paligjshëm, të trajtojnë si qen dhe të kthejnë në Meksikë. Mendoj se është më mirë të kemi përsëri Bracero.”

Por propozimet për një program të ri përballen me kundërshtime të forta nga sindikatat e punës dhe janë një nga arsyet që nuk i ka lejuar ligjvënësit të vazhdojnë me reformën e imigracionit.
XS
SM
MD
LG