Lidhje

Pushteti i ri vendor diskuton për bashkëpunimin në dobi të komunitetit


Pushteti i ri vendor diskuton për bashkëpunimin në dobi të komunitetit

Pushteti i ri vendor diskuton për bashkëpunimin në dobi të komunitetit

Kongresi i Autoriteteve Vendore të Këshllit të Europës zhvilloi sot në Tiranë një konferencë me pushtetarët vendorë të Shqipërisë, të cilëve u bëri thirrje për të punuar me më shumë transparencë, bashkëpunim në shërbim të komunitetit qytetar. Në një auditor me të sapozgjedhurit e pushtetit vendor të Shqipërisë folësit nga Europa u kërkuan që qytetarët të përfshihen në vendimmarrjet e bashkisë dhe që të dëgjojnë zërin e të gjitha palëve për qeverisjen e qytetit, pavarësisht nga ngjyrimet partiake.

Drejtuesi i Delegaciont të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadori Etore Sequi, u bëri thirrje bashkiakëve që të forcojnë bashkëpunimin edhe midis tyre, në shoqatën e tyre, më shumë në dobi të qytetarëve që ju zgjodhën se sa në favor të partive të ndryshme. Ai tha në takim se të zgjedhurit vendorë duhet të bashkëpunojnë edhe me qeverinë qendrore për të decentralizuar më tej kompetencat e pushtetit vendor. “Ky është një proces që kërkon angazhim. Vërtet si thuhet “Gur gur bëhet mur”, por nuk duhet harruar që para se të bëni mure, ju duhet të ndërtoni urat mes jush” - tha ambasadori Sequi.

Në takimin me pushtetarët e sapozgjdhur vendorë, ambasadori i OSBEsë, Eugen Volfart, tha se shoqata e bashkive mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të ndikuar në hartimin e politikave kombëtare. Përmes saj, pushteti vendor do të shtojë përfitimet e qytetarëve dhe mund të pengojë hartimin në parlament të ligjeve që dëmtojnë komunitetin qytetar. “Pavarësisht nga përkatësitë politike - tha ambasadori Volfart - bashkiakët vendorë duhet të bashkëpunojnë dhe lobojnë pranë qeverisë qendrore për nisma shtetërore që ndikojnë në komunitet. Është në interes të komunitetit qytetar që bashkiakët të jenë konstruktiv dhe ndonjë herë edhe jopartiak në dobi të qytetarëve që i kanë zgjedhur” - tha ai.

Në Konferencën e Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës morën pjesë kryetarët e bashkive më të mëdha të Shqipërisë. Kryetari i rizgjedhur i bashkisë së Korçës, Niko Pleshi, thotë se votat e qytetarëve tani po shkojnë përherë e më shumë drejt kandidatëve me projekte të besueshme që u ngjallin atyre shpresën për një jetë më të mirë në komunitet se sa nga ngjyrat e partive. Zoti Peleshi thotë se tashmë po bëhet një traditë hartimi i buxhetit të Korçës me pjesëmarrjen e qytetarëve, konsultime me këshilltarët e partive të ndryshme, organizimi i forumeve qytetare për planifikimin e territorit, ekspozimi i projekteve me variante në infrastrukturë dhe zgjedhja me pyetësor e tyre nga vetë qytetarët. “Besoj se kjo konferencë e autoriteteve vendore të Këshillit të Europës do të na inkurajojë të gjithë palëve për t’u riorganizuar, për të lënë mënjanë tendencat fragmentarizuese, të cilat kanë ardhur të impostuara edhe nga një politikë e deritanishme përjashtuese e qeverisë, dhe të na ulë në tavolinë për një kohë tjetër, për një kohë të re ku bashkëpunimi, partneriteti, transparenca, demokracia lokale, pjesëmarrja publike në vendimmarrje do të jenë kryefjala” - tha ai.

Qysh nga zgjedhjet vendore të 8 majit, Shqipëria ende është duke konstituuar këshillat e qarqeve, bashkive e komunave për shkak të zvarritjeve nga më të ndryshmet. Megjithatë shumë sociologë dhe analistë të politikës shqiptare janë shprehur se qytetarët shqiptarë po bëhen përherë e më shumë pragmatistë në zgjedhjet vendore dhe parlamentare, duke votuar ato kandidatë dhe programe politike që janë më afër nevojave të komunitetit.

XS
SM
MD
LG