Lidhje

Lirohet një pjesëtare e grupit “Pussy Riot”


Pjesëtarja e bandës muzikore ruse Pussy Riot, Maria Alyokhina, që u lirua sot nga burgu, tha se vendimi për lirimin e saj ishte bërë për publicitet. Maria Alyokhina u zotua të vazhdonte të fliste kundër shtypjes qeveritare.

“Do ta kisha kundërshtuar këtë aminsti, por autoritetet e burgut kishin marrë urdhër të më lironin, ndaj sot jam këtu. Tani dua të takoj aktivistët për të drejtat e njeriut. Dua të trajtoj çështjen e burgut, dua të marr pjesë në aktivitetet e të drejtave të njeriut.”

Maria së bashku me pjestaren e grupit Nadezhda Tolokonnikova u dënuan për huliganizëm, të motivuar nga urretja fetare, për shkak të një kënge kundër presidentit Vladimir Putin, të interpretuar në altarin e kishës më të njohur ortodokse ruse në fillim të vitit 2012. Që të dyja u dënuan me nga dy vjet burg.

Një tjetër pjestareje të grupit iu hoq dënimi. Grupi muzikor prej tre anëtaresh po protestonte kundër mbështetjes së kishës ortodokse për zotin Putin gjatë kandidimit të tij për mandatin e tretë si president i vendit. Dy këngëtaret ishin parashikuar të liroheshin në mars të vitit të ardhshëm, por ato përfituan nga një amnisti që mundëson lirimin e mijëra të burgosurave nëna me fëmijë të vegjël.

Dënimi i këngëtareve shkaktoi protesta në mbarë botën me kritikët që u shprehën se arrestimi tregonte shtimin e masave shtypëse të Kremlinit ndaj kundërshtarëve.

Ndërkohë, ish manjati rus i naftës Mikhail Khodorkovsky i falur po këto ditë nga presidenti Vladimir Putin pas 10 vitesh në burg, thotë se do të bëjë ç’të mundet për të siguruar lirimin e të burgosurve të tjerë politikë.

“Nuk dua të shihem si simbol, simbol i një situate të veçantë që lë në harresë faktin se ka më shumë të burgosur politikë. Dua të shihem si simbol i përpjekjeve të shoqërisë civile që mund të çojë në lirimin e atyre njerëzve që askush nuk e pret.”

Gjatë një konference për shtypin të djelën në Berlin, zoti Khodorkovsky premtoi të mos merret me politikë apo përpiqet të rifitojë pasuritë nga ish kompania e tij e naftës.

Ai u arrestua në vitin 2003 nën akuzat për evazion fiskal dhe mashtrime. Dënimi i tij u kritikua ashpër si hakmarrje politike për financim të partive opozitare. Pas daljes nga burgu ai u dërgua në Berlin. Në një intervistë me revistën ruse New Times, zoti Khodorkovsky thotë se nuk pati asnjë kusht për lirimin e tij dhe ai nuk pranoi asnjë krim. Ai tha se kishte mësuar se po shkonte në Gjermani gjatë transferimit të tij.

Ai tha për revistën se dëshiron të kthehet në Rusi. Por ka njoftime se ai nuk mund të kthehet pasi gjykata ka dhënë urdhër që ai të paguajë më shumë se gjysëm miliard dollarë për dëmet.
XS
SM
MD
LG