Lidhje

Gjendet i vdekur në Uashington një ish-ndihmës i Putinit


Një manjat i medias ruse dhe ish-ndihmës i udhëheqësit të Kremlinit Vladimir Putin u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Uashington.

Autoritetet amerikane dhe ato ruse po përpiqen të gjejnë shkakun e vdekjes së 57-vjeçarit Mikhail Lesin, ish ministër i qeverisë ruse dhe themelues i kompanisë ndërkombëtare mediatike RT, që fillimisht njihej si “Rusia sot”.

Presidenti Putin komentoi me këtë rast, duke thënë se Lesin kishte dhënë kontribut të madh “në mediat e Rusisë moderne”.

Shërbimi në anglisht i RT-së tha se Lesin kishte vdekur nga infarkti.

Ambasada ruse në Uashington e konfirmoi identitetin e Mikhail Lesinit. Ai pati qenë Ministër për Shtypin në Rusi në vitet 1999 – 2004 dhe këshilltar i presidentit për median në vitet 2004 - 2009. Ai pati qenë gjithashtu njëri prej drejtuesve të lartë të kompanisë Gazprom-Media në vitet 2013-2014, kompania më e madhe mediatike e Rusisë.

Policia e Uashingtonit nuk pranoi të jepte hollësi, përveç konfirmimit se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me vdekjen Mikhail Lesinit në një hotel në zonën e njohur të Uashingtonit, “Dupont Circle”.

XS
SM
MD
LG