Lidhje

Putin në Baku, pa marrëveshje konkrete për gazin


Russian President Vladimir Putin Visit to Azerbaijan, August 13, 2013

Russian President Vladimir Putin Visit to Azerbaijan, August 13, 2013

Prej kohësh, Rusia është përpjekur të rrisë praninë në Azerbajxhan, një vend përmes të cilit Evropa shpreson të ulë varësinë nga gazi rus

Presidenti rus Vladimir Putin nuk arriti ndonjë marrëveshje konkrete për energjinë gjatë një vizite të pazakontë që bëri dje në Azerbajxhan. Moska shpreson të sfidojë mbizotërimin e firmave të mëdha perëndimore të gazit në këtë republikë ish-sovjetike, por vizita e presidentit rus duket se nuk i justifikoi këto shpresa.

Vizitat e zotit Putin jashtë vendit zakonisht shoqërohen me një seri marrëveshjesh dhe Igor Sechin, kreu i agjencisë kryesore ruse të naftës dhe gazit, Rosneft, shkoi në Baku muajin e kaluar për të përgatitur terrenin.

Prej kohësh, Rusia është përpjekur të rrisë praninë në Azerbajxhan, një vend përmes të cilit Evropa shpreson të ulë varësinë nga gazi rus.

Por dje, zoti Sechin nënshkroi vetëm një marrëveshje të përgjithshme bashkëpunimi me firmën shtetërore azerbajxhanase të energjisë, edhe pse kjo ishte vizita e parë e zotit Putin në Baku pas shtatë vjetësh.

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, industria azerbajxhanse e naftës është mbizotëruar nga firmat e mëdha perëndimore si BP, Statoil dhe Exxon Mobil, ndërsa marrëdhëniet mes Moskës dhe Bakusë kanë qenë të ftohta.

Presidenti Ilham Aliyev, është përpjekur të ruajë një baraspeshë delikate midis Perëndimit dhe Rusisë. Por marrëdhëniet u tensionuan nga fundi i vitit të kaluar kur bisedimet e zgjatura mes dy vendeve nuk çuan në ndonjë marrëveshje lidhur me përdorimin nga Moska të një stacioni radarësh në territorin azerbajxhanas.

Dje, pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me Rosneftin, zoti Aliyev nuk dha hollësi konkrete.

"Në sferën e naftës dhe gazit janë arritur marrëveshje të rëndësishme. Marrëveshjet e nënshkruara sot janë një faqe e re bashkëpunimi në fushën e naftës dhe gazit midis strukturave qeveritare të Rusisë dhe Azerbajxhanit," tha zoti Alijev.

E vetmja kompani ruse me një prani të rëndësishme në Azerbajxhan është firma private Lukoil.

Monopoli shtetëror rus i gazit, Gazprom ra dakord në dekadën e fundit për të blerë thuajse tërë prodhimin e gazit nga Azerbajxhani, dhe kjo u pa si një përpjekje e suksesshme nga ana e Rusisë për të mbrojtur pozitën e saj mbizotëruese në furnizimin e tregjeve të Evropës me gaz.

Por marrëveshja nuk u materializua kurrë plotësisht, ndërkohë që Azerbajxhani dhe firmat e mëdha perëndimore kanë rënë dakord ta furnizojnë Evropën me anë të një gazsjellësi të ri, duke filluar nga viti 2019.

Ky projekt i quajtur TAP megjithatë nuk përfaqëson një sfidë të madhe ndaj pozitës mbizotëruese të gazit rus në Evropë.
XS
SM
MD
LG