Lidhje

Putin ndalon birësimin e fëmijëve rusë nga amerikanët


Vendimi i Presidentit rus Vladimir Putin për të ndaluar birësimin e fëmijëve rusë nga amerikanët tensionoi marrëdhëniet amerikano-ruse më shumë që prej Luftës së Ftohtë. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, James Brooke nga Moska, ngrohtësia humane po shkrin marrëdhëniet e ngrira dypalëshe.

Dimrin e kaluar, pasionet ishin të larta lidhur me ndalimin nga Kremlini të birësimit të fëmijëve rusë nga familje amerikane. Demonstrues, si këta në Moskë, thanë se ishin turpëruar që qeveria e tyre po dëmtonte foshnjet në përpjekje për të fituar politikisht.
Presidenti Putin shprehu zemërim ndaj një ligji amerikan mbi të drejtat e njeriut.

“Në botë ka shumë vende me standard më të lartë jetese se në Rusi. E pastaj? A duhet ne t’i dërgojmë fëmijët tanë atje, apo të shkojmë edhe vetë ne të rriturit atje”?

Në Moskë është verë dhe megjithëse vendimi për ndalimin e birësimeve është ende në fuqi, pasionet janë zbutur. Nga mesi i korrikut, 15 familje amerikane shkuan në Rusi bashkë me fëmijët e tyre të birësuar për të krijuar lidhje me vendlindjen.
Amerikanët u përzjenë me turistët dhe ceremonitë e martesave në Sheshin e Kuq. Lauren Thompson erdhi me djalin e saj të adoptuar, Andrei.

“Nëse njerëzit mësojnë se ne jemi amerikanë dhe jo rusë, ata nuk na shikojnë aspak me armiqësi”.

Ajo thotë se udhëtimi në Rusi kishte kuptim.

“Ne kemi menduar rreth këtij udhëtimi për disa vjet. Andrei ka qënë gjithnjë i interesuar në trashëgiminë e tij ruse”.

Prindërit amerikanë mbajnë mënd se si u ishte kërkuar nga zyrtarët rusë gjatë procesit të birësimit që t’u mësojnë fëmijëve të tyre rreth origjinës ruse. Katër fëmijëve rusë, të birësuar nga amerikanët, iu mohua viza për në Rusi.

“Ne nuk e kuptojmë se pse, madje ne nuk mund ta apelonim këtë vendim në asnjë mënyrë. Ishte një vendim i rastit dhe pa kriter”.

Sarah Goth drejtoi turneun për Programin Lidhjet, një kompani amerikane. Ajo thotë se rusët i kanë mirëpritur.

“Ne kemi konfirmuar vizita në të gjithë spitalet dhe shtëpitë e fëmijëve, që familjet duan të vizitojnë”.

Disa familje u takuan me nënat biologjike. Alli tha se ajo vendosi të mos takohet me nënën e saj biologjike.

“Kam qënë kurioze rreth nënës time. Çdo fëmijë është kurioz, por unë nuk mendoj shumë rreth saj”.

Për Xhonin, banai i Allit, udhëtimi përsëri në Rusi kishte për qëllim të merrnin përgjigje të ndryshme.

“Ne duam që Alli të jetë në gjendje të bëjë pyetje dhe të shuajë kuriozitetin, madje të marrë përgjigje për çdo gjë të paqartë që ajo mund të ketë tani ose për të ardhmen”.

Ndërsa udhëtimet në Rusi kanë qenë tepër personale, vendimi i Kremlinit nuk të hiqet nga mëndja. Katherine është nëna e adoptuar e Allit.

“Që të mendosh se dikush pengon një fëmijë që të ketë familje, për mua nuk ka kuptim”.

Pas kritikave në vend dhe nëpër botë, Kremlini ka ndërmarrë një program për të inkurajuar prindërit rusë që të birësojnë foshnje ruse.
XS
SM
MD
LG