Lidhje

Putin viziton Bjellorusinë


Ekspertët thonë se Rusia synon të vazhdojë lidhjet e ngushta me vendin fqinj

Presidenti rus Vladimir Putin ndodhet në Bjellorusi, në udhëtimin e parë jashtë vendit që kur bëri betimin për një mandat të tretë të debatueshëm.

Zoti Putin po mban bisedime me Presidentin bjellorus Alexandër Lukashenko.

Rusia dhe Bjellorusia kanë qenë aleatë të ngushtë prej kohësh por përpjekjet e Rusisë për të marrë nën kontroll asetet ekonomike në Bjellorusi kanë shkaktuar çarje mes dy vendeve.

Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani ranë dakord në fund të vitit të kaluar që të krijojnë një bashkim ekonomik të Euroazisë deri në vitin 2015, një projekt i stilit të Bashkimit Evropian, nismë e zotit Putin për të nxitur bashkëpunimin e ish-shteteve të Bashkimit Sovjetik.

Nesër, zoti Putin viziton Francën dhe Gjermaninë.

Ai pritet të përballet me pyetje të vështira nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Francois Hollande për mungesën e vullnetit të Rusisë për të mbështetur në mënyrë të qëndrueshme masa të rrepta kundër qeverisë siriane për dhunën në atë vend.

Rusia ka të drejtën e vetos si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ekspertët thonë se vizita e Presidentit të sapo zgjedhur rus Vladimir Putin në Bjellorusi tregon gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar lidhjet e ngushta ekonomike dhe politike me fqinjin e saj. Bjellorusia është zyrtarisht aleati më i ngushtë i Rusisë.

Bjellorusia hyri në axhendën e presidentit rus Vladimir Putin pas takimit të Organizatës Traktati për Sigurinë Kolektive që u zhvillua në Moskë më 15 maj. Zoti Putin u takua atje me shtatë anëtarët e organizatës me rastin e 10 vjetorit të krijimit të këtij blloku dhe 20 vjetorit të Traktatit të Sigurisë Kolektive.

Sipas redaktorit të gazetës Russia in Global Affairs, Fyodor Lukyanov, vizita e presidentit Putin nuk ishte e papritur sepse Rusia ka qenë partneri më i ngushtë politik, ekonomik dhe kultutor i Bjellorusisë brenda Federatës së Shteteve të Pavarura.

“Bjellorusia është zyrtarisht aleati më i fortë i Rusisë. Ne jemi pjesë e të ashtuquajturit Komonuelth i Shteteve të Pavarura që nga fundi i viteve 90. Prandaj zgjedhja e Bjellorusisë si destinacion i parë i zotit Putin nënkupton konfirmimin e status kuosë”, thotë Fyodor Lukyanov.

Presidenti i Qendrës për Studime Shkencore Mises, Jaroslav Romanchuk, thotë se mes Rusisë dhe Bjellorusisë ekzistojnë lidhje të ngushta:

“Vladimir Putin ka thënë se integrimi në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura është përparësi e strategjisë ndërkombëtare të Rusisë në gjashtë vitet e ardhshme. Traktati për krijimin e një Hapësire Ekonomike të Përbashkët dhe traktati i Euroazisë janë dëshmi e fortë e lidhjeve të ngushta mes dy vendeve. Prandaj, presidenti Putin vendosi ta bëjë vizitën e parë në Bjellorusi”, - thotë zoti Romanchuk.

Sipas Agjencisë shtetërore Bjelloruse Telegraf (BELTA), vëllimi i tregëtisë dypalëshe mes Rusisë dhe Bjellorusisë në vitin 2011 arriti në 38,6 miliard dollarë - një rritje vjetore prej 38 për qind.

“Përveç kësaj, presidenti Putin dëshiron zbatimin e dy projekteve tjera. Së pari, Rusia ka në plan të investojë 10 miliard dollarë në një central bërthamor në Bjellorusi. Së dyti, Rusia do të ndërtojë një sistem për mbrojtjen nga raketat në Bjellorusi, nëse Evropa ndërton një sistem të mbrojtjes nga raketat."

Përveç lidhjeve të ngushta politike, takimi i dy udhëheqësve do të përqëndrohet edhe në bashkëpunimin ekonomik përfshirë tregëtinë dhe investimet, njofton agjencia bjelloruse BELTA.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG