Lidhje

Putin dhe nacionalizmi evropian


Në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Ukrainë, kandidatët pro-evropianë fituan shumicën dërrmuese të votave, por po atë ditë, në Evropë u votua më tepër për kandidatët që duan mbylljen e dyerve të Evropës. James Brooke njofton për Zërin e Amerikës nga Moska, se fuqizimi i së djathës në Evropën Perëndimore mund të ketë ndikim tek kriza në Ukrainë.

Krahu i djathtë në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian mund të ketë shkatuar pa dashur një viktimë: Ukrainën dhe ambiciet e saj evropiane.

Thuajse një e treta e anëtarëve të rinj të Parlamentit Evropian, deri në fund të kësaj dekade, do të vijnë nga partitë që nuk e duan BE-në dhe zgjerimin e mëtejshëm të grupit.

Në shumë raste, ata kanë shprehur vlerësime pozitive për presidentin rus Vladimir Putin.

Analistja e Qendrës Carnegie në Moskë Maria Lipman parashikon se këta euroskeptikë dhe elementë të krahut të djathtë do të përpiqen ta bllokojnë ndihmën financiare për Ukrainën.

“Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Evropë nuk është i mirë për Ukrainën. Ai paralajmëron vendime më të vështira që lidhen me ndihmën për Kievin. Bashkimi Evropian tashmë ka barra serioze. Nuk është në një formë të shkëlqyer ekonomikisht. Pra, vendimi për të caktuar fonde për Ukrainën është një barrë e vështirë për të. "

Në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Ukrainë, kandidatët pro-evropianë fituan mbi 80 për qind të votave. Fituesi i zgjedhjeve, Petro Poroshenko, fitoi 54 për qind.

Të hënën në Kiev, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, tha se BE-ja është gati të nënshkruajë një marrëveshje për zonën e tregtisë së lirë me Ukrainën dhe t'i vazhdojë bisedimet për udhëtimin pa viza të ukrainasve.

Por, përsëri në Bruksel, një pakicë në rritje e anëtarëve të Parlamentit Evropian mund të duan t'i mbyllin dyert e Evropës. Ata thonë se Ukraina është problem i Rusisë. …dhe Kremlini po i vjen rrotull këtyre politikanëve anti-evropianë.

Muajin e kaluar, Marine Le Pen, udhëheqëse e Frontit Kombëtar të Francës, vizitoi Moskën. Ajo vlerësoi presidenti rus Vladimir Putin dhe tha se nuk ka kuptim që Ukraina të anëtarësohet në BE.

Nga ana e tij, zoti Putin përshëndeti publikisht atë që ai e quajti "suksesi i Marine Le Pen-it në Francë.”

Pastaj, të dielën e kaluar, Fronti Kombëtar fitoi më shumë vende se çdo parti tjetër franceze në zgjedhjet evropiane.

Peter Kreko, Drejtor i Institutit të Kapitalit Politik në Budapest, merret me studimin e së djathtës ekstreme në Evropë. Ai thotë se partitë nacionaliste të Evropës janë anti-amerikane dhe anti-BE. Dhe këtu ata gjejnë pika të përbashkëta me presidentin Putin.

“Çfarë përfiton Rusia nga forcat radikal? Ato janë kundër BE-së. Si tek e djathta ekstreme, ashtu edhe tek e majta ekstreme e Evropës, ne mund të gjejmë forca që flasin hapur për fundin e Europës, dhe se në formën që ka tani, BE-ja duhet shpërbërë."

Në Mars, Kremlini ftoi përfaqësuesit e Frontit Kombëtar dhe të partive të tjera të ekstremit të djathtë në Krime, për të vëzhguar referendumin që miratoi aneksimin nga Rusia të gadishullit ukrainas. Këta vëzhgues të huaj hartuan një raport pozitiv për zgjedhjet.

Media shtetërore e Rusisë i bëri një mbulim të gjerë partive të reja nacionaliste dhe euroseptike të Evropës. Në katër vitet e fundit, stacioni televiziv RT, i financuar nga Kremlini, e ka përmendur, ose nxjerrë Marine Le Pen-in 144 herë, ndërsa Nigel Farage, i Partisë së Pavarësisë në Britani, ose UKIP, është intervistuar 17 herë.

Në votimet e së dielës, Partisë së Pavarësisë në Britani, fitoi shumicën e votave. Është hera e pare, në më tepër se një shekull, që zgjedhjet në Britani nuk i fitojnë laburistët, apo konservatorët.

Kremlini duket qartë se është i kënaqur me këtë valë në rritje të partive të ekstremit të djathë dhe euroskeptikë.

Mikhail Margelov, kryetar i Komisionit të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, i tha agjencisë Interfax:

“Shumë kandidatë të krahut të djathtë të zgjedhur në Parlamentin Evropian, e pëlqejnë Rusinë, kështu që pritshmëria është që deputetët e krahut të djathtë, do të jenë të aftë për të ndikuar tek opnioni publik mbi vendin tonë dhe politikat e Brukselit ndaj Moskës."

Por John Vinocur, gazetar i Wall Street-it me seli në Paris dha një vlerësim negativ:

Në artikullin e titulluar me ironi “Gruaja e Putinit në Paris", Vinocur arrin në këtë përfundim: “Zotit Putin mund të mbështetet të paktën tek Marine Le Pen, si përkrahësja më e fortë e pranimit të politikave të tij”.

Dhe përsa i përket konfliktit mes Lindjes dhe Perëndimit lidhur me Ukrainën, duket se disa evropiano-perëndimorë po anojnë drej Lindjes.
XS
SM
MD
LG