Lidhje

Putin nënshkruan traktatin për bashkimin e Krimesë me Rusinë


Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqës të Krimesë nënshkruan një traktat për bashkimin e Krimesë me Rusinë, një hap tjetër ky që pritet të shkallëzojë më tej tensionet me Ukrainën dhe me Perëndimin.

Gjatë një fjalimi në parlament, zoti Putin tha se rajoni i Krimesë ka qenë gjithmonë pjesë "e patjetërsueshme" e Rusisë. Ai theksoi se Krimea është një rajon me rëndësi jetike për Rusinë dhe ka qënë gjithmonë pjesë e Rusisë në mendjen dhe zemrat e banorëve.

Pas fjalimit, zoti Putin dhe udhëheqës të Krimesë nënshkruan traktatin për bashkimin e Krimesë me Rusinë. Për të hyrë në fuqi, traktati duhet të kalojë nëpër disa procedura duke përfshirë miratimin nga parlamenti i Rusisë.

Në fjalimin me tone sfiduese për Perëndimin, Presidenti Putin tha se referendumi në Krime për bashkimin me Rusinë, është i ligjshëm dhe theksoi lidhjet historike dhe kulturore të Krimesë me Rusisnë, një rajon që iu dha Ukrainës nga ish-udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov në vitin 1954.

Zoti Putin tha se Gadishulli i Krimesë, ku ka bazën flota ruse e Detit të Zi, është një vend i shenjtë për Rusinë, duke shtuar se të tre popullsitë etnike atje, ukrainasit, rusët dhe tartarët do të kenë të drejta të barabarta gjuhësore.

Për të mbështetur pretendimin e tij se referendumi në Krime ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, zoti Putin përmendi pavarësinë e Kosovës nga Serbia, që u mbështet nga Perëndimi dhe u kundërshtua nga Rusia. Ai tha se shkëputja e Krimesë nga Ukraina përsërit shkëputjen e vetë Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Presidenti Putin mohoi akuzat perëndimore se Rusia e pushtoi Krimenë në prag të referendumit, duke thënë se trupat ruse u dërguan atje në përputhje me një marrëveshje me Ukrainën që lejon Rusinë të ketë deri në 25.000 trupa në bazën e saj në Krime.

Gjatë fjalimit ai kritikoi udhdëheqësit e rinj të Ukrainës, duke thënë se ata i kanë hapur rrugën “neo-nazizmit”.

Disa orë më vonë, media ruse edhe ajo ukrainase cituan një zëdhënës ushtarak ukrainas të ketë thënë se forcat ruse kishin sulmuar trupat ukrainase në një bazë të qytetit kryesor të Krimesë, Simferopol. Në këtë incident u vra një një ushtar.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ndodhet në Poloni për bisedime me aleatët rajonalë të shqetësuar nga inkursioni ushtarak i Rusisë në Krime. Ai tha se ndërhyrja e Rusisë në krime ishte një inkursion i paskrupullt ushtarak dhe aneksimi i saj nuk ishte tjetër përveçse një grabitje territori nga ana e Moskës. Zoti Biden po takohet me udhëheqësit e Polonisë dhe të shteteve baltike, Estoni, Lituani dhe Letoni.

Pas shumë paralajmërimeve, Uashingtoni dhe Brukseli vendosën dje sanksionet e tyre të para ndaj zyrtarve rusë të hënën për mbështetjen që ata i dhanë referendumit në Krime.

Ministri i Jashtëm i Francës hodhi dyshime rreth pjesëmarrjes së Rusisë në Grupin e tetë fuqive botërore për shkak të inkursionit të saj në Krime, duke thënë se anëtarët e tjerë të tetëshes janë të gatshëm për t'u mbledhur pa Moskën.

Vende të tjera të G-8s, thanë se ende nuk është marrë ndonjë vendim lidhur me të ardhmen e Rusisë në këtë grup. Kjo është një çështje e ndjeshme sidomos tani që Rusia ka kryesinë e rradhës të G8-s.

Ishte planifikuar që Rusia të priste presidentin Barak Obama dhe udhëheqës të tjerë për një takim të nivelit të lartë në Soçi në muajin qershor, por në klimën e tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit mbi Ukrainën, anëtarët e tjerë të grupit i kanë pezulluar përgatitjet për takimin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG