Lidhje

Putin merr postin e presidentit në një Rusi të ndryshuar


Më 7 maj, Vladimir Putin do të kthehet në Kremlin si president i Rusisë. Ai do të marrë drejtimin e një prej ekonomive më të forta të Evropës. Por do të ballafaqohet edhe me një realitetet të ndryshuar politik – një popullatë më të informuar që ka mësuar të ngrejë zërin para udhëheqjes së saj. Korrespondenti James Brooke njofton nga Moska:

Kur zoti Putin të kthehet në postin e presidentit të hënën, ai do të trashëgojë një ekonomi që e lakmon një pjesë e mirë e Evropës. Buxheti është i balancuar. Borxhet, inflacioni dhe papunësia janë të ulëta. Rezervat buxhetore janë të larta dhe ekonomia po rritet me mbi 4 për qind – afro 3 herë më shumë se në vendet e Evropës Perëndimore.

Por kjo begati varet në masë të madhe nga çmimet e larta të naftës e gazit. Anders Aslund i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare paralajmëron se zoti Putin duhet të ndërtojë një strategji për ekonominë e vendit dhe të kursejë për një rënie të mundshme të çmimeve të naftës.

"Gjatë dy viteve të ardhshme çmimet e naftës do të arrijnë kulmin, ose ndoshta e kanë arritur kulmin në këtë nivel. Pastaj do të stabilizohen, pra Putinit i duhet të bëjë shpenzime të kujdesshme”.

Për disa rusë çmimet e larta të naftës dhe gazit kanë sjellë begati. Për të tjerët është thjesht stabilitet ekonomik dhe tani ata po ngrejnë zërin për më shumë liri politike. Gleb Pavlovsky, ish-këshilltar i Kremlinit, thotë se zoti Putin ka tani një Rusi të ndryshme nga ajo e vitit 2008, kur u largua nga presidenca dhe u bë kryeministër. Pavlovsky thotë se Rusia nuk vepron më sikur të ishte monarki. Protestat e dimrit e kanë rrëzuar iluzionin se Vladimir Putin ishte i pagabueshëm.

Në përgjigje të protestave të dhjetorit, presidenti Dmitry Medvedev deklaroi reforma politike. Gjashtë muaj më pas, kritikët thonë se një nga reformat, ajo për zgjedhje të drejtpërdrejta për guvernatorët, është ndryshuar dhe tani Kremlini do të ketë të drejtën e vetos ndaj kandidatëve. Një tjetër reformë, ajo që e bën më të lehtë regjistrimin e partive politike, e ka përçarë opozitën në dhjetëra parti të vogla. Konstantin von Eggert i agjencisë shtetërore të lajmeve Ria Novosti beson se lëvizjet civile do të tjetërsohen në themelet e një sistemi më të hapur politik në Rusi.

"Vala aktuale e protestave erdhi pas një rritje të dukshme të aktiviteteve bamirëse dhe vullnetare, sidomos në qytetet e mëdha gjatë viteve 2006 deri në 2009. Këto akte nuk u kryen me motive politike, por rusët thjesht po ndihmonin personat në nevojë”.

Kjo atmosferë po krijon një ndjenjë të fuqizimit të qytetarit që ngre zërin kundër udhëheqjes. Në mes të prillit, zoti Putin shkoi në selinë e parlamentit për të mbajtur fjalimin e fundit si kryeministër. Kur nuk i kushtoi rëndësi një greve urie që po zhvillonte një kandidat për kryetar bashkie, një grup deputetësh të opozitës u larguan nga salla.

Dy javë më pas, kandidati ndali grevën pasi autoritetet qendrore pranuan se kishte pasur parregullsi në masë gjatë votimeve në qytetin e tij, Astrakhan. Ndërkaq, në tre qytete të mëdha, kandidatët e opozitës u zgjodhën kryetarë bashkie gjatë dy muajve të fundit.

Rusët tani pyesin nëse Vladimir Putin do të tregohet sa duhet elastik dhe për t’iu përshtatur realitetit të ri? Zoti Pavlovsky shpreh parashikimet e tij. Ai thotë se zoti Putin është një ndër politikanët më elastikë që ai ka njohur. Por ai thonë se nëse Putin nuk arrin të krijojë partneritete të reja dhe të krijojë konsensus të ri politik, Rusia do të ballafaqohet me një krizë politike brenda pak vjetësh.

Një temë që i bashkon rusët kundër qeverisë është korrupsioni. Organizata Transparency International e renditi vjet Rusinë në vendin e 143, në një nivel me Nigerinë për nga korrupsioni. Në luftën kundër korrupsionit, një bloger e cilësoi Partinë Rusia e Bashkuar “partia e dallaverexhinjve dhe hajdutëve”. Ky term duket se është përqafuar nga shumë rusë.

Tani që Vladimir Putin fillon një mandat të ri gjashtë vjeçar në Kremlin, pyetja që ngrihet është nëse do të jetë ai në gjendje të drejtojë një shoqëri më të hapur dhe më pluraliste ruse.

XS
SM
MD
LG