Lidhje

Putin në Krime, përshëndet aneksimin rus


Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi sot Krimenë për herë të parë që pas aneksimit të gadishullit nga Rusia, ndërsa shënoi Ditën e Fitores, festën që përkujton kapitullimin e Gjermanisë naziste ndaj Bashkimit Sovjetik. Duke iu drejtuar veteranëve dhe oficerëve ushtarakë në qytetin port Sevastopol të Krimesë, ku ndodhet Flota ruse e Detit të Zi, zoti Putin tha se viti 2014 do të mbahet mend si "viti kur njerëzit që jetojnë këtu vendosën me bindje të ishin të bashkuar me Rusinë." duke konfirmuar "besnikërinë e tyre ndaj vërtetës historike dhe kujtimit të paraardhësve tanë." Më parë gjatë ditës, ai dhe udhëheqës të tjerë rusë morën pjesë në paradën e përvitshme në Moskë, që zhvillohet me rastin e kësaj feste kombëtare ruse.

Zoti Putin përshëndeti aneksimin nga ana e Rusisë të gadishullit të Krimesë në Detin e Zi. Gjatë vizitës së tij të parë në Krime që pas aneksimit në muajin mars, presidneti rus lundroi në portin e Sevastopolit ku ndoqi paradën ushtarake të forcave ajrore dhe atyre të marinës, për të shënuar Diëna e Fitores.

Para se të shkonte në Krime ai ndoqi në Sheshin e Kuq të Moskës, marshimin e 11 mijë trupave ruse dhe demonstrimin e një pjese të arsenalit masiv të armëve të vendit, gjatë paradës së përvitshme të kryeqytetit rus me rastin e Ditës së Fitores.

“Kjo është dita e triumfit kombëtar, e krenarisë kombëtare. Është dita e pikëllimit dhe e kujtesës së përjetshme. Ky është një festival që nderon fuqinë e pathyeshme të patriotizmit, kur të gjithë ne të ndjejmë thellë se çfarë do të thotë të jesh besnik ndaj atdheut dhe se sa e rëndësishme është të jesh në gjendje të mbrosh interesat e tij.”

Në paradë parakaloi edhe një njësi të marinës nga Flota e Detit të Zi e cila valviti mbi automjetet e saj të blinduara flamuj të Krimesë dhe Sevastopolit.

X X X

Ndërkohë në Ukrainë, udhëheqësit politikë dhe fetarë bënë homazhe në nder të të rënëve të Luftës së Dytë Botërore, duke vendosur lule pranë flakës së përjetshme në Parkun e Heronjve, në Kiev.

I pyetur nga një gazetar për problemin me Rusinë, Kryeministri i Ukrainës Arseny Yatseniuk u shpreh:

“Rusia po vazhdon përpjekjet për të shkallëzuar situatën, ndërsa ne po bëjmë çdo gjë të mundur për të ulur tensionet dhe për ta zgjidhur këtë problem. Ata që janë terroristë, ata që dëmtojnë do t’i vendosim para drejtësisë, por ne nisëm një dialog mbarëkombëtar dy javë më parë dhe besojmë se vendi do të jetë i bashkuar.”

Në Ukrainë festimet për Ditën e Fitores ishin të përmbajtura për të shmangur përplasje të mundshme mes prorusëve dhe mbështetësve të Kievit. Autoritet ukrainase anuluan paradat për këtë festë në disa qytete, duke rritur masat e sigurisë në vend për të parandaluar ngjarje të dhunshme.

Forcat separatiste, në rajonet lindore rusisht-folëse të Ukrainës, që kanë marrë nën kontroll ndërtesat qeveritare, kanë në plan të organizojnë një referendum të djelën për të shpallur ose jo pavarësinë nga Kievi, megjithë thirrjen që bëri dje presidenti Putin për ta shtyrë referendumin.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannieri tha sot në Kliev, ku ndodhet për vizitë, se refrendumi nuk do të njihet nga OSBE-ja.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG