Lidhje

A do të zgjasë popullariteti i z. Putin?


Ekonomia e Rusisë po haste vështirësi edhe para se të goditej nga sanksionet perëndimore, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina. Pavarësisht prirjes në rënie të saj, popullariteti i presidentit Vladimir Putin ka arritur një nivel të lartë rekord gjatë një vale entuziazmi nacionalist. Por, analistët thonë se mbështetja për Presidentin pritet të ulet.

Vlera e monedhës ruse, rubla, është në një nivel të ulët historik, ndërsa sanksionet perëndimore dhe çmimet në rënie të naftës shkaktojnë pasoja mbi ekonominë.

Por niveli i mbështetjes për presidentin Vladimir Putin është mbi 80 për qind, që kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina.

Kjo rritje erdhi pikërisht në kohën e duhur, thotë Lev Gudkov, drejtor i Qendrës Levada, një organizatë e pavarur anketash të opinionit publik.

"Popullariteti i Putinit ka qenë në rënie, që nga muajt gusht-shtator të vitit 2008, kur kishte arritur nivelin më të lartë gjatë luftës Rusi-Gjeorgji, deri në janar të këtij viti, kur arriti nivelin më të ulët."


Zoti Gudkov thotë se zoti Putin po lundron mbi një valë euforie nacionaliste dhe "një imitim të mbështetjes nga masat".

"Tani, konkurrenca është e shtypur, mediat janë nën censurë të rëndë, Duma, parlamenti rus, vlerësohet mjaft negativisht si një organ krejtësisht i varur nga Putini dhe qeveria, dhe nuk konsiderohet si një parlament, por si një asamble lobistësh që përfaqësojnë interesat e grupeve të ndryshme me ndikim. Kështu, duke manipuluar opinionin publik ata krijojnë një imitim të mbështetjes masive."

Mbështetësit e zotit Putin thonë se duke mbajtur një qëndrim të vendosur ndaj Perëndimit, ai ka ringritur statusin e Rusisë në skenën botërore.
Presidenti rus thotë se fitimtarët e vetëshpallur të Luftës së Ftohtë e kanë injoruar Rusinë, duke riformuar botën sipas nevojave dhe interesave të tyre.

"Sigurisht që sanksionet janë një pengesë. Ata po përpiqen të na dëmtojnë përmes këtyre sanksioneve, të bllokojnë zhvillimin tonë dhe të na shtyjnë në izolim politik, ekonomik dhe kulturor. Me fjalë të tjera, të na detyrojnë të ecim prapa."

Analisti i firmës së konsulencës RusEnergy, Mikhail Krutikhin, thotë se sanksionet bënë që rreth një e treta e kompanive të naftës dhe gazit, klientë të tyre, të braktisnin shpresat për kontrata në Rusi. Ai thekson gjithashtu se retorika anti-perëndimore është e lidhur me çmimin e naftës, eksporti më i rëndësishëm i Rusisë, i cili përbën gjysmën e buxhetit të qeverisë.

"Mendoj se sa më të larta të jenë çmimet e naftës, aq më të vendosur janë përkrahësit e zotit Putin. Retorika nacionaliste dëgjohet më tepër. Dhe sapo çmimi i naftës të ulet, mendoj se popullariteti i zotit Putin dhe kjo lloj retorike gjithashtu do të pakësohen."

Përgjigja e zotit Putin ndaj sanksioneve ishte ndalimi i importeve të ushqimeve nga Perëndimi, gjë që po rrit shpenzimet e konsumit.
Analistët thonë se tashmë ka shenja që euforia patriotike dhe propaganda e Kremlinit kanë filluar të dobësohen nga përbrenda, ndërkohë që problemet ekonomike i bëjnë njerëzit të vlerësojnë situatat dhe perspektivat më realisht.

XS
SM
MD
LG