Lidhje

Kush është Vladimir Putin?


Megjithë problemet që po has ekonomia ruse nga kriza, popullariteti i Presidentit Vladimir Putin ka arritur nivele rekord. Sanksionet perëndimore kundër Moskës nuk kanë arritur ta ndalin përfshirjen e Rusisë në Ukrainë.

Me hap solemn, drejt varrit të Ushtarit të Panjohur pranë mureve rrethuese të Kremlinit, Presidenti Vladimir Putin vendosi një kurorë me rastin e Ditës së Mbrojtësit të Atdheut – një festë kombëtare që nderon fitoret ushtarake të Rusisë dhe veteranët. Megjithatë, nuk janë fitoret, por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 ajo që i dha formë vizionit të zotit Putin, thotë Edward Lucas, autor i librit “Lufta e Re e Ftohtë”:

“Ai ka bindjen se Rusisë ia bënë me hile në vitet 1990 dhe se Bashkimi Sovjetik u rrëzua dhe u turpërua nga Perëndimi; ai mendon se ka ardhur koha të rikthehet statusi dhe territori i mëparshëm”.

Udhëheqësit perëndimorë thonë se ky vizion po shpaloset në Ukrainë dhe e akuzojnë zotin Putin se ka dërguar trupa përtej kufirit, një akuzë që Krelini e hedh poshtë. Perëndimi ka vendosur sanksione kundër disa oligarkëve të afërm me Putinin. Por efekti i tyre nuk është ndjerë shumë, thotë Ben Judah, autor i biografisë së Vladimir Putinit Perandori e Brishtë:

“Kjo tregon se nuk ka më oligarkë. Sundon diktatura e Putinit dhe ka njerëz që janë plotësisht të varur prej tij për pasurinë dhe rolin që kanë në politikën ruse”.

Zoti Judah thotë se Vladimir Putin beson se është i vetmi që mund të udhëheqë dhe të ringjallë kombin rus:

“Nëse për ta realizuar këtë i duhet të bëjë luftë, ai do të bëjë luftë; nëse për këtë i duhet të fuqizojë ekonominë, ai do të fuqizojë ekonominë. Nëse e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është përmes nacionalizmit dhe ballafaqimit me Perëndimin, atë do të bëjë Putini”.

Zoti Putin ka qenë oficer i shërbimit sekret të Bashkimit Sovjetik, KGB-së, ku arriti të ngjitet deri në gradën e Nënkolonelit. Kjo ka lënë një mbresë të pashlyeshme tek Putini, thotë Edward Lucas:

“Ai ka ruajtur ashpërsinë dhe dinakërinë që e karakterizojnë punën me KGB-në. Po ashtu i ka hyrë në qejf fama. Ai ka dalë nga hijet e fshehtësisë duke u ngritur në qendër të skenës ndërkombëtare dhe i pëlqejnë këto aspekte të famës”.

Megjithë pozitën që ka, Presidenti Putin pohoi në nëntor në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve se nuk ka shumë miq:

“Nuk ndjehem i vetmuar, megjithëse tingëllon e çuditshme. Por nuk kam shumë takime me miq, apo kontakte me shokë”.

Rrallë herë ka momente të tilla sinqeriteti nga zoti Putin. Ai përpiqet gjithmonë të reflektojë një imazh burrërie. Vështirë të harrohet fotografia ku ai pat dalë pa këmishë, hipur në kalë, apo kur vizitonte mbetjet e një nëndetseje si dhe kur fluturonte pranë një tufe lejlekësh me një avion të vogël. Këto pamje fshehin pasigurinë e tij thotë Ben Judah:

“Putini është një njeri shumë i vetmuar, i trishtuar, tepër i izoluar; tmerrohet nga problemet shëndetit që mund të ketë, ndjen një keqardhje të thellë për veten që i ka rënë kjo barrë mbi supe për të fuqizuar Rusinë dhe që i duhet të ballafaqohet me probleme të tilla”.

Analistët thonë se tipare të tilla komplekse të karakterit të presidentit rus janë të nevojshme për të kuptuar individin që fshihet pas udhëheqësit të Kremlinit: një president dhe një ish-spiun i vendosur për t’i rikthyer me çdo kusht Rusisë lavdinë e mëparshme.

XS
SM
MD
LG