Lidhje

Kremlini: Kemi qenë në kontakte me fushatën Trump


Zyrtarë të qeverisë ruse kanë qenë në kontakt me punonjës të fushatës së Donald Trumpit, para zgjedhjeve të së martës tha Zv/Ministri i Jashtëm rus Sergei Riabkov të enjten.

“Ne i njohim shumicën e njerëzve të afërt të zotit Trump” tha Riabkov për agjencinë e lajmeve Interfax. “Ata janë njerëz që kanë qenë në syrin publik në Shtetet e Bashkuara dhe kanë pasur poste të larta. Nuk mund të them se të gjithë ata, por disa prej tyre kanë qenë në kontakt me përfaqësues të qeverisë ruse”.

Zëdhënësja e fushatës së zotit Trump, Hope Hicks e hodhi poshtë këtë deklarim, ashtu siç ka bërë zoti Trump gjatë gjithë fushatës, kur ka deklaruar se nuk ka kontakte me qeverinë ruse.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha për grupin mediatik Bloomberg News se përfaqësues të ambasadës ruse janë takuar me përfaqësues të fushatës së zotit Trump. Ajo e quajti takimin një praktikë normale, por shtoi se fushata e zonjës Clinton kishte refuzuar ofertat për takime të ngjashme.

Gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin shkëmbyen në disa raste komplimente dhe shprehën interes për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Putin e përgëzoi Donald Trumpin për fitoren në zgjedhje. Përgëzimet e tij u përcollën të mërkurën me duartrokitje në parlamentin rus.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG