Lidhje

Putin merr në mbrojtje aneksimin e Krimesë


Presidenti rus Vladimir Putin mori në mbrojtje aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë dhe akuzoi Perëndimin se po përdor krizën në Ukrainë si pretekst për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Disa analistë thonë se zoti Putin përgatitet për një periudhë të gjatë vështirësish në politikën e brendshme dhe të jashtme.

Në fjalimin që mbajti sot për gjendjen e vendit, zoti Putin e quajti Krimenë territor shpirtëror të Rusisë. Përsa i përket sanksioneve perëndimore, ai tha se "kur dikush mendon që Rusia është bërë e fortë dhe e pavarur, menjëherë vë në zbatim mjete të tilla." Në fjalimin e tij Presidenti Putin përdori një gjuhë të ashpër ndaj Perëndimit.

"Askush nuk do të arrijë dot epërsi ushtarake ndaj Rusisë. Ushtria jonë është moderne, e gatshme për luftë, e sjellshme, siç thonë njerëzit sot, por kërcënuese. Ne kemi mjaft forcë, vullnet dhe guxim për të mbrojtur lirinë tonë," tha Presidenti Putin.

Gjendja ekonomike e Rusisë është keqësuar që kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vendosën një seri sanksionesh gjithnjë e më të ashpra ndaj Moskës për shkak të aneksimit të Krimesë prej saj dhe të mbështetjes ndaj separatistëve në Ukrainën lindore.

Dmitri Trenin, analist politik, Shef i Qendrës Carnegie në Moskë, thotë se zoti Putin përgatitet për një periudhë mjaft të gjatë vështirësish si në politikën e brendshme edhe në atë të jashtme.

"Në fund të fjalimit të tij ai deklaroi se Rusia po përballet me sfida shumë serioze. Tha gjithashtu se ishte plotësisht i bindur që Rusia do të jetë në gjendje t'i përmbushë këto sfida dhe të fitojë. Por është e qartë se nëse kjo përpjekje dështon, atëherë pasojat do të ishin të tmerrshme. Pra, zoti Putin e kupton plotësisht se sa i madh është risku për Rusinë dhe për atë vetë."

Sot, 10 policë u vranë dhe 28 u plagosën gjatë shkëmbimeve të zjarrit me militantët në kryeqytetin e Çeçenisë, njoftoi Komiteti kombëtar rus i Antiterrorizmit.

Në fjalimin e tij, zoti Putin tha se kishte besim që forcat Çeçene janë të afta të përballen me "terroristët", që sipas tij marrin mbështetje nga jashtë.

Luftimet hedhin hije mbi fasadën e stabilitetit të arritur pas shumë vitesh sundimi me dorë të fortë, përmes një udhëheqësi të emëruar nga Rusia në rajon.

Një qendër ruse anketimesh thotë se Presidenti Vladimir Putin vazhdon të gëzojë mbështetje të fuqishme politike në vend pavarësisht nga keqësimi i gjendjes ekonomike.

Një anketë e kryer nga qendra Levada tregon se 85 përqind e rusëve ende e mbështesin udhëheqjen e zotit Putin.

Por gazeta Financial Times me qendër në Britani paralajmëroi se sondazhe të tilla të opinionit në Rusi janë mjaft të pasakta.

XS
SM
MD
LG