Lidhje

Vizita e Presidentit rus Putin në Serbi


Serbia përgatitet të përballet me polemika, kur presidenti rus Vladimir Putin të shkojë nesër për vizitë në Beograd me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të qytetit. Vizita e presidentit rus vjen në një kohë kur Serbia lëkundet mes dy prej lojtarëve më të mëdhenj botërorë, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Shumë serbë duan anëtarësimin në BE, e megjithatë ndjejnë një lidhje emocionale dhe kulturore me Moskën.

Ndoshta është shenjë e përparësive të qeverisë serbe fakti që ngjarja kryesore e këtij 70-vjetori, parada e parë ushtarake në Beograd pas gati 30 vjetësh, do të bëhet katër ditë më herët. Ajo mbahet nesër, më datën 16 tetor për nder të zotit Putin, i cili do të bëjë aty një ndalesë të shkurtër gjatë rrugës për një takim të nivelit të lartë në Milano.

Që nga njoftimi i vizitës shtetërore në fillim të tetorit, nëpër kryeqytetin e Serbisë jan shfaqur mjaft mbishkrime, duke përfshirë ato në mbështetje të separatistëve pro-rusë në Ukrainën Lindore.

Ndërkohë, ata që kundërshtojnë ndikimin rus në Serbi kanë vendosur vizatimet e tyre, si ky, nën të cilin kanë shkruar: "Putini po ju vëzhgon".

Disa mendojnë se nuk është në interes të vendit kur bota të shikojë Presidentin Putin dhe ministrin e tij të mbrojtjes duke u përshëndetur me një paradë ku marrin pjesë 4,500 ushtarë serbë, si dhe armatime, tanke dhe aeroplanë, ndërkohë që NATO-ja thotë se ushtarët rusë vazhdojnë të bëjnë luftë në Ukrainën lindore.

Beogradi nuk ka organizuar paradë të plotë ushtarake, që nga viti 1985. Dikur ajo ishte një ceremoni e përvitshme, por më vonë, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë u hoq për shkak të kostos së lartë.

Ndërsa serbët i kanë konfirmuar ambiciet e tyre për t'u anëtarësuar në BE përmes kutisë së votimit, kriza ekonomike e bllokut e ka vënë në provë entusiazmin e tyre, dhe shumë serbë tradicionalisht konservatorë e ndjejnë se ndajnë më tepër vlera me rusët se sa me evropianët më liberalë.

Në Nov Sad, rreth 80 kilometra në veri të Beogradit, kjo kafene është hapur vitin e kaluar dhe klientela e saj përfshin studentë si dhe disa rusofilë serbë.

Milovan Zugiç, klient i rregullt, thotë se presidenti rus është shumë popullor në Serbi.

''Dy të tretat e Serbisë adhurojnë Putinin, të paktën. Një e treta nuk e pëlqen, sepse janë të blerë nga Perëndimi. Ata mund të blejnë çdo gjë me para, por nuk mund të blejnë zemrën," thotë Zugiç.

Analistja Jelena Miliç, drejtore e Qendrës për Studime Euro-Atlantike është kritike e vizitës së presidentit rus.

"Mendoj se kjo vizitë është provokative, nuk ka kuptim të festos çlirimin e Beogradit më 16 tetor, kur përvjetori është më 20 tetor, dhe kjo nuk është e drejtë," thotë zonja Miliç.

Që prej rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000 pas një dekade të luftrash, sanksionesh perëndimore dhe izolim, Serbisë, është kthyer në mënyrë të qëndrueshme drejt rrjedhat evropiane.

Negociatat për anëtarësim në BE pritet të fillojnë seriozisht ndërsa anëtarësimi i mundshëm mund të ndodhë vetëm pas vitit 2020.

Rusia është bërë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ndërsa Serbia, si shumë vende të Evropës lindore, është e varur nga gazi rus.

Kjo ka bërë që Beogradi të përpiqet të luajë mes Lindjes dhe Perëndimit, ashtu siç vepronte Titoja gjatë Luftës së Ftohtë, por kjo lojë është tani më e ndërlikuar.

Ndërsa Serbia ka premtuar respektimin e integritetin territorial të Ukrainës, ajo ka refuzuar të bashkohet me sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

''70 vjetori i çlirimit të Beogradit, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Ne nuk na vjen turp nga mysafirët tanë, por duam të kemi marrëdhënie të mira me federatën ruse. Unë do t'i them Presidentit Putin se Serbia është në rrugën për t'u bashkuar me Evropën", tha kryeministri Aleksandar Vucic.

Kryeministri Vucic këmbënguli për gazetarët se Serbia mund të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe njëkohësisht t'i qëndrojë kursit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG