Lidhje

Putin, dyshime për zgjedhjet në Ukrainë


Presidenti rus, Vladimir Putin i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë, shprehu dyshime për legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. Ai tha në Shangai, se do të jetë e vështirë që të krijohen marrëdhënie me njerëz që "vijnë në pushtet, ndërsa vazhdon operacioni ndëshkues në Ukrainën juglindore dhe që pengojnë punën e medias".

Duke folur me gazetarët në Shangai në ditën e fundit të vizitës shtetërore në Kinë, zoti Putin tha se do të jetë e vështirë të ndërtosh marrëdhënie me njerëz “”të cilët vijnë në pushtet në kushtet e operacioneve të vazhdueshme ndëshkuese në juglindje të Ukrainës dhe të cilët pengojnë punën e shtypit " – një referencë ndaj operacioneve të sigurisë së qeverisë ukrainase kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit dhe ndalimi i gazetarëve që punojnë për median ruse në rajon.

Zoti Putin tha se dy gazetarë rus të portalit online pro-Kremlinit LifeNews të cilët u ndaluan nga forcat ukrainase të sigurisë më 18 maj po trajtohen në mënyrë të papranueshme dhe se kjo mund të ngreh pikëpyetje rreth legjitimitetit të të gjithë proceseve politike në Ukrainë.

Autoritetet ukrainase thanë se në makinat me të cilën udhëtonin gazetarët u gjetën raketa portative kundër avionëve. Zoti Putin I quajti akuzat “absolutisht fallco dhe të pakuptimta".

Presidenti rus tha se Ukraina do të kishte fituar më shumë qëndrueshmëri në se do të kishte zhvilluar një referendum për një kushtetutë të re para se të zhvillonte zgjedhje presidenciale.

Ai tha gjithashtu se kishte urdhëruar trupat ruse në rajonet stërvitore në afërsi të kufiri me Ukrainën të tërhiqeshin në mënyrë që të krijonte kushte të favorshme shtesë për zgjedhjet presidenciale të së djelës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se forcat në rajonet Rostov, Belgorad dhe Bryansk jo shumë larg kufirit me Ukrainën "kanë filluar të lëvizin drejt bazave të tyre ushtarake të përhershme.

Agjencia Reuters e lajmeve citoi Sekretarin e Përgjithshëm të Natos Ander Fogh Rasmussen të ketë thënë sot se aleanca “nuk ka parë prova të qarta të tërheqjes së trupave ruse."

Uashingtoni dhe aleatët e tij të Natos kanë përsëritur akuzat se Moska po përdor dislokimin e trupave për të frikësuar qeverinë e Kievit ndërsa përgatitet për zgjedhje.

Më parë sot, zëvendës presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione më të rrepta kundër Rusisë në se minon zgjedhjet në Ukrainë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG