Lidhje

Putin, thirrje për koalicion të gjerë kundër ISIS


Presidenti rus Vladimir Putin e mori sot fjalën para udhëheqësve botërore të mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Zoti Putin u ndal tek situata në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore duke thënë se lëvizjet për ndryshim që filluan disa vjet më parë kanë sjellë kaos që po shfrytëzohet nga elementi ekstremist në zonë:

"Mjafton të shohësh situalën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Pa diskutim që problemet politike dhe sociale në rajon ziejnë prej kohësh, dhe pa diskutim që popullata e atjeshme kërkonte ndryshim. Por çfarë kanë arritur si përfundim? Ndërhyrje agresive të brendshme në këto vende kanë krijuar një situatë që në vend që të sjellë reforma, thjesht ka shkatërruar institucione dhe mënyrat bazë të jetesës. Në vend të suksesit, demokracisë dhe përparimit, sundon agresioni, varfëria dhe katastrofa sociale, port ë drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën bazë për jetën nuk përfillen. Pyetja që kam për ata që krijuan këtë situatë është nëse e kuptojnë se çfarë kanë shkaktuar? Por kam frikë se kjo pyetje nuk do të marrë përgjigje, sepse situata u krijua nga politikanët që besojnë tek vetja dhe janë të bindur se janë plotësisht të pafajshëm dhe plotësisht në të drejtë. Është e qartë se në Lindjen e Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore, vakumi i krijuar në qeverisje ka çuar në krijimin e zonave të përfshira nga anarkia, që menjëherë u vunë në shenjestër nga ekstremistët dhe terroristët”.

Zoti Putin kritikoi qëndrimin perëndimor kundër regjimit aktual sirian të Bashar al-Asadit, duke i cilësuar gabim përpjekjet për zëvendësimin e regjimit të Asadit.

Udhëheqësi rus u ndal edhe tek kërcënimi që paraqet për botën ideologjia ekstremiste dhe fushata e përgjakshme e ndërmarrë nga Shteti Islamik.

Presidenti rus Vladimir Putin i mëshoi nevojës për formimin e një koalicioni të gjerë ndërkombëtar për të luftuar ISIS.

"Situata në botë nuk mund të tolerohet më. Në fakt, propozimi ynë është që të udhëhiqemi jo nga ambicja, por nga vlerat dhe interesat e përbashkëta, bazuar në ligjin ndërkombëtar, të bashkojmë forcat për të zgjidhur problemet e reja me të cilat përballemi dhe të formojmë një koalicion të vërtetë ndërkombëtar, anti-terrorist me pjesëmarrje të gjerë”.

“Vendet myslimane duhet të jenë anëtare kyçe të këtij koalicioni. Në fund të fundit, ISIS nuk është thjesht një kërcënim i drejtpërdrejtë për këto vende, por me krimet e tij po përdhos një ndër besimet e mëdha të botës, Islamin”.

Rusia do të propozojë në Këshillin e Sigurimit një rezolutë për bashkërendimin e përpjekjeve ndërkombëtare kundër ISIS.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG