Lidhje

Putin: Marrëdhëniet me SHBA më të rëndësishme se sa çështja Snowden


Presidenti Putin thotë se ish punonjësi i zbulimit amerikan, Edward Snowden, është paralajmëruar që të mos ndërmarë ndonjë veprim që do të dëmtonte marrëdhëniet Moskë-Uashington.

“Ne e kemi paralajmëruar zotin Snowden se çdo hap i ndërmarrë prej tij, që do të dëmtonte marrëdhëniet amerikano-ruse, është i papranueshëm për ne. Puna për të drejtat e njeriut ka pasoja anësore për personat e angazhuar. Kjo lloj veprimtaria është më e lehtë kur bëhet nën mbrojtjen dhe me mbështetjen financiare të Shteteve të Bashkuara, por kur dikush kritikon vetë Shtetet e Bashkuara situata vështirësohet”.

Presidenti Putin i bëri këto komente në Çita të Siberisë, ku ndodhej për vitizë një ditore.

“Ne nuk mund dhe nuk do të veprojmë si disa vende të tjera. Rusia ka një politikë të jashtme të pavarur dhe do të vazhdojë ta zbatojë atë. Shpresoj që partnerët tanë do ta kuptojnë qëndrimin tonë”.

Nëse Moska i jep zotit Snowden strehim kjo do të krijonte tensione të reja në marrëdhëniet tashmë të tendosura mes Moskës dhe Uashingtonit.

Zoti Putin nuk u prononcua nëse Rusia do të përmbushte kërkesën e zotit Snowden, por ai tha se marrëdhniet mes dy vendeve janë “shumë më të rëndësishme se sa debatet lidhur me punën e shërbimeve të sigurimit”.

Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Edward Snowden është i mirëpritur në Rusi, por vetëm nëse ndalon rrjedhjen e informacioneve që dëmtojnë Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha dje se ekzistojnë “justifikime të mjaftueshme ligjore” për Moskën që të kthejë Snowdenin në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për “shkelje serioze.” Ai tha se Uashingtoni nuk dëshiron që marrëdhëniet amerikano-ruse të preken nga kjo mosmarrëveshje.

Snowdeni kërkoi dje strehim të përkohshëm në Rusi, megjithëse ai ende synon të shkojë përfundimisht në Amerikën Latine, ku qeveritë majtiste të Venezuelës, Bolivisë dhe Nikaraguas i kanë ofruar atij strehim.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG