Lidhje

Divorci i çiftit Putin nuk i habit rusët


Njoftimi për divorcin vjjen 13 muaj pas mandatit të tretë presidencial të zotit Putin

Pas shumë spekulimesh gjatë disa viteve të fundit, presidenti rus Vladimir Putin dhe bashkëshortja e tij Ludmilla deklaruan se martesa e tyre 30 vjeçare ka marrë fund. Çifti e bëri publike ndarjen në televizionin shtetëror rus pasi një shfaqjeje baleti.

Ludmilla ishte parë rrallë në publik gjatë viteve të fundit, por ishte në krah të bashkëshortit, kur ai njoftoi se ata nuk do të jetonin më së bashku.

"Po, është e vërtetë. Të gjitha aktivitetet e mia, gjithë puna ime është shumë publike. Disave u pëlqen, disave jo. Por ka njerëz që nuk e pëlqejnë farë këtë. Lyudmila Alexandrovna ka sakrifikuar tetë apo nëntë vjetët e fundit. Kështu që vendimi është i përbashkët."

Zonja Putin dihet që nuk e pëlqen publicitetin dhe mungesa e saj ishte bërë shkak për spekulime në media. Asnjëri prej tyre nuk sqaroi nëse martesa ishte shpërbërë ligjërisht, por ajo tha se ndarja e tyre ishte një “divorc i civilizuar”.

Gjatë mandatit të parë presidencial mes viteve 2000 dhe 2004, zoti Putin e mori bashkëshorten në disa vizita jashtë vendit. Por gjatë mandatit të dytë ai udhëtonte vetëm.

Në vitin 2008, thashethemet se ai ishte në prag të divorcit u shoqëruan me zërat se do të martohej me ish gjimnasten profesioniste Alina Kabayeva. Zoti Putin e mohoi këtë publikisht.

Në rrugët e Moskës, njerëzit nuk ishin të çuditur nga lajmi:

“Përsa kohë që kjo nuk ndikon në mënyrën e punës së presidentit dhe nuk ndikon tek qytetarët, nuk dua t’ja di. Lereni të jetë i lumtur,” thotë Marina.

“Është jeta e tij private dhe ai ka të drejtën të bëjë ç’të dojë. Mund të themi se shkatërroi fatin e gruas së tij, por Vladimir Vladimirovich është gjithashtu njeri dhe dëshiron të bëjë jetën e tij. Ka bërë atë që ka menduar se është e drejtë,” thotë Denis Nazorov

Putinët u martuan në vitin 1983 dhe kanë dy vajza, të dyja në të njëzetat, që rrallë shihen në publik. Njoftimi erdhi 13 muaj pas mandatit të tretë presidencial të zotit Putin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG