Lidhje

Putin, thirrje për front të gjerë kundër ekstremizmit


Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për një front të gjerë ndërkombëtar kundër ekstremizmit. Ai i bëri komentet në një fjalim për gjendjen e vendit përpara Këshillit të Federatës Ruse në Moskë.

Presidenti rus tha se mposhtja e terrorizmit do të kërkojë një përpjekje ndërkombëtare:

"Një vend i vetëm nuk mund ta mposhtë terrorizmin, sidomos kur kufijtë e botës janë në fakt të hapur dhe bota përballet me zhvendosje njerëzish. Kur terroristët kanë mbështetje të vazhdueshme financiare, kërcënimi i terrorizmit rritet."

Zoti Putin kërkoi të mbahej një minutë heshtje për ushtarakët rusë që humbën jetën kur aeroplani i tyre u rrëzua në afërsi të kufirit me Sirinë muajin e kaluar.

Ai kritikoi ashpër Turqinë, duke e akuzuar atë për blerje nafte nga grupi Shteti Islamik.

Presidenti Putin tha se rrëzimi i avionit rus nga Turqia në kufirin me Sirinë ishte një "krim lufte i pabesë”.

Turqia këmbëngul se avioni shkeli hapësirën ajrore turke dhe nuk ka pranuar të kërkojë falje për incidentin. Rusia është përgjigjur me sanksione kundër Ankarasë.

Rusia ka akuzuar gjithashtu Turqinë se është përfshirë në kontrabandën e naftës me militantët islamikë në Turqi, akuzë që është hedhur poshtë si nga Ankaraja edhe nga Uashingtoni. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner:

"Rusia akuzon se qeveria turke është bashkëfajtore në kontrabandën e naftës nga ISIS-i në Turqi dhe unë e hedh poshtë këtë akuzë. Nëse ka një farë kontrabande të paligjshme nafte përreth rajonit kufitar, kjo është diçka që ka vazhduar për dekada dhe që ne jemi duke ndërmarrë hapa për ta zgjidhur."

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se në qoftë se udhëheqësi rus vërtet shqetësohet për financimet e paligjshme të ISIS-it, këtë duhet t’ia ngrejë presidentit sirian Bashar al-Asad.

Javën e kaluar, Uashingtoni akuzoi qeverinë e Sirisë për blerje nafte nga Shteti Islamik dhe vendosi sanksione ndaj një biznesmeni me shtetësi të dyfishtë siriane dhe ruse, duke e akuzuar atë se ka ndihmuar tregtinë e naftës midis qeverisë së Asadit dhe Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG